Eksporti me 800 ton mbetje të rrezikshme nga Porti i Durrësit, ku Newsbomb.al ishte një nga mediet e para në Shqipëri që i dha zë këtij skandali, tashmë ka marrë përmasa të tjera.
Fillimisht ishte Ministria e Mjedisit që bëri një reagim përmes zëdhënësit Erjon Uka që për “Bloomerang” kishte thënë: “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë nuk kanë dhënë autorizim për eksportin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme. Forcat e zbatimit të ligjit në Shqipëri po kryejnë hetime me Zyrën e Bashkimit Evropian për Luftën Kundër Mashtrimit mbi rrethanat dhe të gjitha lidhjet logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Evropa në Azinë Juglindore”.
Mirëpo tanimë është kompania e prodhimit të hekurit në Shqipëri, “Kurum” që ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Edhe pse mbetjet e rrezikshme, janë grimca pluhuri që mbesin nga furrat e prodhimit të hekurit, Kurum i është përgjigjur pretendimit të Ministrisë së Mjedisit, që mbetjet janë të tyre dhe kanë nisur hetimet në lidhje me këtë fakt. Ata distancohen nga skandali dhe theksojnë se nuk janë eksportuesit e këtyre sasive të mbetjeve.
Duket në fakt si një lojë ping-pongu, kush ta ngecë topin e parë. Megjithatë fakti që deri më tani ka dalë në dritë dhe iu dha zë nga Neësbomb.al, është që 100 kontejnerë kishin dalë nga Porti i Durrësit me destinacion Tajlandën. Brenda tyre kishte mbetje të rrezikshme çeliku.
Reagimi i plotë i Kurum International
Kurum International, ne lidhje me lajmet e publikuara ne mediat shqiptare mbi sasinë e mbetjeve të rrezikshme të eksportuara me destinacion Tajlandën, dhe aludimet mbi deklaratat e palëve të treta për shoqërinë tonë si eksportues të këtyre sasive të mbetjeve deklaron si me poshtë:
Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare.
Kurum International, bazuar në lejen mjedisore që zotëron, respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjate procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë.
Shoqëria, raporton dhe plotëson të gjitha kërkesat ligjore, për raportim periodik, 3-mujor, 6-mujor dhe vjetor, për menaxhimin e mbetjeve industriale që gjenerohen nga procesi teknologjik, dhe sipas rastit ka lidhur kontrata e marrëveshje me shoqëri shqiptare apo të huaja, të licencuara sipas ligjeve në fuqi, për menaxhimin e këtyre mbetjeve.
Të gjitha raportet janë dorëzuar brenda afateve ligjore në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit.
Nga ana e organeve përkatëse, jemi kontrolluar dhe vijojmë të kontrollohemi e monitorohemi vazhdimisht dhe periodikisht sipas kërkesave ligjore.
Në çdo rast, aplikohet për leje eksporti në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit sipas legjislacionit ne fuqi dhe Konventën e Bazelit, proces lehtësisht i verifikueshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.