Si sot para 27-vitesh, trupat paqeruajtëse të Aleancës Veri-Atlantike mbërritën në Kosovë, duke i dhënë fund luftës dhe duke mundësuar kështu kthimin e qindra mijëra shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, ngjarje e cila nuk ka kaluar pa u rikujtuar e vlerësuar nga diplomatët shqiptarë.
Me rastin e 27-vjetorit të Kosovës ka reaguar dhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, si dhe kreu i grupit parlamentar të Partiës Socialiste Taulant Balla.
Pas bombardimeve të shumta që kishin mbërthyer vendin, Serbia u detyrua të bënte pas dhe më shumë se 800 mijë refugjatë të vendit u rikthyen në shtëpitë e tyre, ndonëse shumica e tyre ishin të shkatërruara.
Nga lufta e viteve 1998-1999 rreth 16 mijë persona u vranë në mënyrë makabër dhe mbi 6 mijë të tjerë u raportuan të zhdukur.
Sot e kësaj dite, pas më shumë se 3 dekadash nga lufta e ashpër në Kosovë, NATO ofron siguri për vendin.
Sakaq, gjatë ditës së sotme, në nder të dëshmorëve që luftuan me shpirt për çlirimin e vendit të tyre, dhe u shuan në krye të luftës, kryeministri i Kosovës Albin Kurtin i shoqëruar nga ministrat e vendit, ka kryer homazhe në Prekazë, e cilësuar ndryshe si kryeqyteti i kryengritjes bashkëkohore të popullit shqiptar.
“Beteja epike e Jasharëve, e bacës Shaban me djemtë e tij Hamzën e Ademin, me gratë e tyre Zahiden, Zarifen, Feriden dhe Adilen e gjithë të tjerët që nuk u nënshtruan për asnjë moment është sot në thelb të historisë së popullit tonë dhe atë jo vetëm si Kosovë, e si Republikë demokratike por njëkohësisht edhe si komb shqiptarë në kuptimin e shqiptarëve kudo që ata janë, e në kuptimin e shtrirjes përtej së tashmes nga e kaluara e lashtë e deri në të ardhmen siç thotë edhe himni kombëtarë “Ne do të rrojmë”, tha Kurti gjatë homazheve të mbajtura në Prekazë.
Me rastin e 27-vjetorit të Kosovës ka reaguar dhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, i cili në një postim të bërë në Facebook-un e tij ai vlerëson sakrificën e mijërave burrave dhe grave që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Postimi i Bajram Begajt:
Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë!
Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë.
Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë!
Mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës!
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!
Në lidhje me këtë ditë të veçantë të shqiptarëve të Kosovës, ka reaguar dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili përveç vlerësimit të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, ka vlerësuar dhe kontributin që ka dhënë Presidenti Hashim Thaçi.
Postimi i Taulant Ballës:
Festojmë sot 27 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës. Më 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës, të cilat ua rikthyen shqiptarëve të Kosovës lirinë. Në këtë ditë të rëndësishme përkujtojmë epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroizmin e Adem Jasharit, kontributin e Presidentit Thaçi, të komandantëve dhe të çdo dëshmori e kontributori të lirisë, e paraprirë për vite me radhë nga rezistenca paqsore e Presidentit Rugova.
RROFTË KOSOVA!
RROFTË SHQIPËRIA!
Për 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës ka reaguar dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili e cilësoi 12 Qershorin si një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës.
Në postimin e bërë Hoxha shkruan se kjo datë nuk përfaqëson vetëm fundin e një periudhe të errët të dhunës, represionit dhe spastrimit etnik, por edhe nisjen e një kapitulli të ri të ndërtimit të shtetit demokratik dhe institucioneve të Kosovës.
Postimi i Ferit Hoxhës:
12 Qershori nuk është thjesht një datë në kalendarin e Kosovës, por një nga momentet më përcaktuese të historisë së saj moderne: fundi i një periudhe të dhimbshme dhune, represioni dhe spastrimi etnik, dhe fillimi i rrugëtimit drejt lirisë, paqes dhe ndërtimit të së ardhmes demokratike.
Sot, në 27-vjetorin e Ditës së #Çlirimit, kujtojmë e nderojmë, me përulje e respekt, sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e #Kosovës dhe njëkohësisht vlerësojmë përparimin e arritur në konsolidimin e shtetit, demokracisë si dhe vendit e rolit të #Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Liria nuk është vetëm një e drejtë e fituar. Është përgjegjësi që ruhet dhe forcohet për brezat që vijnë.
