Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Kërkesa për shkarkimin e ish-dekanes së FMD ngjall debat në Universitetin e Mjekësisë

Shkruar nga Newsbomb
Kërkesa për shkarkimin e ish-dekanes së FMD ngjall debat në
Edit Xhajanka

Redaksia është vënë në dijeni se dekania e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Silvana Bara, i është drejtuar Rektoratit me një shkresë të datës 4 qershor 2026, përmes së cilës ka kërkuar lirimin nga detyra të ish-dekanes së këtij fakulteti, Prof. Dr. Edit Xhajanka.

Ky zhvillim ka tërhequr vëmendjen e komunitetit akademik jo vetëm për përmbajtjen e kërkesës, por edhe për raportin e mëparshëm profesional mes dy pedagogeve. Sipas informacioneve të mbledhura nga redaksia dhe burimeve brenda universitetit, znj. Bara ka ushtruar më parë detyrën e zv/dekanes në periudhën kur Fakulteti i Mjekësisë Dentare drejtohej nga Prof. Dr. Edit Xhajanka. Kolegë të fakultetit pohojnë se gjatë asaj kohe znj. Bara ka gëzuar mbështetje të konsiderueshme në zhvillimin e karrierës së saj akademike dhe administrative.

Burime pranë fakultetit e lidhin përkeqësimin e marrëdhënieve mes tyre me qëndrimet e mbajtura ndaj problematikave akademike dhe administrative që, sipas shumë pedagogëve, janë thelluar gjatë viteve të fundit në Fakultetin e Mjekësisë Dentare. Në cilësinë e anëtares së Senatit Akademik, Prof. Dr. Xhajanka ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me funksionimin e fakultetit, menaxhimin administrativ dhe çështje të tjera që, sipas saj, kërkonin ndërhyrje dhe transparencë institucionale.

Sipas të njëjtave burime, pas këtyre qëndrimeve kritike janë shfaqur tensione të vazhdueshme mes palëve. Mësohet se Prof. Dr. Xhajanka i është drejtuar Këshillit të Etikës për çështje që lidhen me sjelljen institucionale të dekanes, ndërsa përmes një komunikimi zyrtar elektronik ka kërkuar gjithashtu llogaridhënie për realizimin e angazhimeve të marra gjatë procesit zgjedhor, tashmë pas afro dy vitesh nga marrja e mandatit.

Nga ana tjetër, Prof. Dr. Xhajanka ka vijuar të adresojë problematika që lidhen me Fakultetin e Mjekësisë Dentare në institucione të ndryshme, përfshirë Rektoratin, Ministrinë e Arsimit dhe struktura të tjera përgjegjëse.

Prof. Dr. Edit Xhajanka konsiderohet një nga figurat më të njohura të stomatologjisë shqiptare, me aktivitet të gjerë akademik dhe shkencor brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka mbajtur për tetë vite detyrën e dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare, periudhë gjatë së cilës fakulteti njohu një proces të gjerë modernizimi dhe ndërkombëtarizimi, duke zgjeruar bashkëpunimet akademike dhe shkencore me institucione partnere.

Në mbledhjen e Senatit Akademik të datës 9 qershor 2026, Prof. Dr. Xhajanka u përball me kërkesën e paraqitur ndaj saj, ndërkohë që, sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, nuk kishte marrë më parë asnjë njoftim apo informacion paraprak lidhur me këtë procedurë.

Redaksia kontaktoi Prof. Dr. Edit Xhajankën për një koment mbi situatën. Ajo nuk preferoi të prononcohej mbi thelbin e çështjes, por deklaroi se tashmë është ngritur një komision ad hoc, i cili do të shqyrtojë çdo veprim, pretendim dhe dokumentacion përkatës.

“Ka një komision ad hoc që do të analizojë çdo veprim dhe çdo pretendim. Institucionet dinë të bëjnë dallimin mes fakteve, procedurave dhe perceptimeve”, u shpreh shkurtimisht ajo.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit kanë hapur një debat më të gjerë në komunitetin universitar mbi klimën institucionale në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, transparencën në vendimmarrje dhe mënyrën se si trajtohen zërat kritikë që kërkojnë llogaridhënie për problematikat e ngritura ndër vite.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese