Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast, Presidenti Biden ka konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.
Po ashtu në letër thuhet ShBA mbeshtët përpjekjet e Dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Letra e Biden:
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës teksa nderoni Ditën e Pavarësisë tuaj më 17 shkurt.
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm – të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë - një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale. Krahas kombeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë - duke përfshirë duke qëndruar së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë.
