Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar sërish se PS nuk do të bëjë asnjë negociatë me Sali Berishën për emrin e Presidentit të ri të vendit.
Ai tha se Sali Berisha nuk ekziston për PS-në, pasi nuk është Grup Parlamentar por vetëm një deputet i pavarur, teksa shtoi se për emrin e kreut të ri të shtetit do të diskutohet me Enkelejd Alibeajn, Fatmir Mediun dhe Mesila Dodën.
"Sali Berisha nuk ekziston, as si Grup Parlamentar, është një deputet i pavarur në Kuvend. Nuk njoh një Grup Parlamentar me emrin Sali Berisha. Me Sali Berishën as nuk ka dhe as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë. Sali Berisha për ne nuk ekziston. Ajo që unë di dhe besoj që ju të gjithë mund ta konfirmoni, në Kuvendin e Shqipërisë rezultojnë të regjistruara Grupi Parlamentar të PD-së me drejtues zotin Alibeaj dhe dy grupe të tjerë me drejtues Zotin Mediu dhe zonjën Doda. Përgjatë këtij procesi PS dhe grupi i saj do të zbatojë vendimmarrjet që vijnë nga Kryesia e partisë. Në këtë aspekt, Edi Rama ka qenë shumë i qartë kur ka thënë se negociata me Sali Berishën nuk ka. Se çfarë ndodh në selinë e PD-së, është gjë tjetër", tha Balla.
