Kosova u trondit sot nga një ngjarje e rëndë, ku e vrarë mbeti 21-vjeçarja Erona Cokli. Autor i krimit është ish-bashkëshorti i saj, 36-vjeçar Valon Aliu.
Të pranishëm gjatë momentit tragjik kanë qenë vëllai i të ndjerës, i cili mbeti i plagosur dhe Adelina Rexhepi, drejtoresha e Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Ajo ka treguar për mediat kosovare se si nisi konflikti.
Rexhepi tha se i dyshuari për vrasjen e Coklit kishte shkuar për ta marr fëmijën e tij dhe se nuk kishin konflikte me bashkëshorten, por me tu kthyer sërish te qendra kanë filluar konflikti, i cili përfundoi me vrasje.
“Realisht nuk kanë pasur konflikte, ka ardh bashkëshorti për ta marr fëmijën e tij nga ora 13:00, ka diskutuar me ata të qendrës për punë sociale, e ka marr djalin dhe ka dalë jashtë, është kthy prapë dhe është takuar jashtë institucionit me bashkëshorten e tij dhe të dy bashkë kanë ardhur prapë në qendër dhe nga aty ka filluar konflikti. Kanë qenë partnerë pa kurorë dhe kanë bërë kërkesë për divorc”, tha Rexhepi.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kurti shkruan se nuk ka pse t’i dijë detajet, por kërkon që drejtësia të veprojë pa vonesa.
“Nuk kemi pse presim që t’i dimë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot.
Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj. Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, ka shkruar Kurti.
E reja që ka mbetur viktimë strehohej në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj pasi ndarjes nga bashkëshorti. Ai ka hyrë në qendër dhe ka qëlluar me armë zjarri drejt ish-gruas.