Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme Komunën e Ferizaj në Kosovë. Autoritetet atje raportojnë se të shtëna me armë zjarri janë raportuar në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku viktimë ka mbetur një grua dhe një person tjetër i seksit mashkull është plagosur.
"I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje", thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizaj.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur provat e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të saj.
Paraprakisht, mësohet se gruaja që ka mbetur viktimë strehohej në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj pasi ishte ndarë nga bashkëshorti, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen. Ai ka hyrë në qendër dhe ka qëlluar me armë zjarri drejt ish-gruas.
Kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, ka thënë për Gazetën Express se dyshohet që gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshje.
“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar”, është shprehur ai.
Deklarata e plotë e tij, Stacioni i Policisë Ferizaj:
Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri.
Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person i gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person i gjinisë mashkullore, i cili është dërguar nē Qendrën Emergjente në Ferizaj.
I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje.
Ekipe të hetuesve dhe krimeve janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit