Në qytetin e Kraljevos, në Serbi, ditën e sotme u zhvillua një protestë masive, një ditë pas deklaratës së Presidentit Aleksandër Vuçiç se do të dorëhiqej nga posti, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare.
Shumë prej protestuesve nuk e besojnë deklaratën e Vuçiçit, duke e cilësuar si një lëvizje politike pa garanci. Disa thanë se Vuçiç mund të mbetet sërish në pushtet, ndërsa të tjerë theksuan se transformimi i vërtetë kërkon riorganizim të plotë të sistemit qeverisës.
Vuçiç ka qenë në krye të politikës serbe për 12 vite, si kryeministër dhe më pas si president. Ai është përballur me protesta të gjata të udhëhequra nga studentët, të cilat nisën pas shembjes së një strukture betoni në një stacion hekurudhor në Novi Sad në fund të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Kujtojmë se ngjarja e Novi Sadit u kthye në simbol të pakënaqësisë ndaj qeverisë, duke nxitur akuza për keqmenaxhim dhe korrupsion. Protestat që pasuan janë cilësuar si më të mëdhatë në Serbi që nga rrëzimi i Slobodan Millosheviçit në vitin 2000.
