Kandidatët për kryeministër të Kosovës nga partitë kryesore politike kanë ushtruar të drejtën e votës gjatë paradites së sotme, duke u bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje dhe një proces të qetë zgjedhor.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, votoi rreth orës 10:00 në Mitrovicë të Jugut. Pas votimit, Hamza ftoi qytetarët që të votojnë sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre, duke shprehur optimizëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të votojnë sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre. Jam i bindur se sot do të jetë një ditë e mbarë. Deri më tani nuk ka informacione për probleme dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Do ta bëj maksimumin që Kosova të ketë sa më shpejt institucione”, deklaroi Hamza.
Po ashtu, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, votoi rreth orës 10:45 në Prishtinë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për të ardhmen euroatlantike të vendit.
“Shpresojmë që procesi i votimit të shkojë mbarë e mirë. Le të fitojë populli i Kosovës”, tha Abdixhiku për mediat.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 11:00 ishte mbi 7%. Komuna me pjesëmarrjen më të lartë është Ranillugu, ku kanë votuar mbi 16% e qytetarëve, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Leposaviq me vetëm 0.08%.
