Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa procesi i votimit ka nisur zyrtarisht në orën 07:00 në të gjithë vendin. Rreth dy milionë qytetarë me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Sipas të dhënave zyrtare, të drejtë vote kanë 1,999,024 deri në 2,076,290 qytetarë, ndërsa votimi po zhvillohet në 910 qendra votimi me gjithsej 2,557 vendvotime. Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 19:00.
I pari që votoi ishte kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Pak minuta pas orës 07:00 ai iu drejtua qendrës së votimit në Pejë duke u bërë thirrje kështu edhe qytetarëve që t’i drejtohen masivisht kutive të votimit këtë të diel.
Radoniqi tha se nga ana e KQZ-së janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se pavarësisht kohës së shkurtër, procesi ka nisur dhe deri më tani nuk ka asnjë problematikë.
Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që mbahen brenda një viti në Kosovë, pas dështimit për formimin e Qeverisë së re nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin, por pa arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për krijimin e koalicionit qeverisës.
Për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së marrëveshjes ndërmjet subjekteve politike, Kuvendi u shpërnda dhe u shpallën zgjedhjet e parakohshme, me synimin për t’i dhënë vendit institucione funksionale dhe një Qeveri me mandat të plotë.
Procesi zgjedhor po monitorohet nga Policia e Kosovës, Prokuroria, si dhe nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Numërimi i votave për subjektet politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, ndërsa rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00. Ndërkohë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të zhvillohet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë ditën e hënë.

