Kryeministri aktual i Kosovës dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti i është drejtuar me një thirrje të fundit të gjithë atyre qytetarëve të cilët nuk kanë shkuar ende në kutitë e votimit për shprehur vullnetin e tyre sa i përket zgjedhjes së qeverisë së ardhshme.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti e ka quajtur ditën e sotme si dita “D e demokracisë” dhe u ka bërë apel të gjithë atyre qytetarëve të cilët nuk kanë votuar, të paraqiten sa më parë së bashku me familjarët e tyre në qendrat e votimit.
Kjo thirrje e kreut të qeverisë së Kosovës vjen në një moment kur kanë mbetur më pak se dy orë nga mbylla zyrtare e procesit të votimit.
“Të dashur qytetarë të Kosovës,
Sot është dita D e demokracisë. Kush nuk ka dalur ende të votojë, shkoni tash sa më parë. Pyesni të gjithë të afërmit e miqtë se a kanë votuar dhe ua përcjellni këtë porosi timen që të shkojnë të votojnë menjëherë nëse nuk e kanë bërë. Më pak se dy orët në vijim, deri në 19:00, janë vendimtare për edhe më shumë se katër vitet e ardhshme!
Ju falemnderit, Albin Kurti”, shkruan Kurti.
Ndërkohë, nga ana tjetër kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj është shprehur i lumtur që procesi i votimit deri më tani ka vijuar pa incidente serioze.
“Jam shumë i lumtur që votimet e deritashme kanë kaluar pa asnjë incident serioz dhe në një frymë tolerante e krejtësisht demokratike. Meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë marrë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “Facebook”.
Sakaq theksojmë se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 16:00 është 27.81%, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Gjithsej kanë votuar 548.140 persona nga 1.970.944 qytetarë me të drejtë vote.

