Qytetarët e Kosovës votuan këtë të diel për kryeministrin e tyre! Ashtu si dhe ishte parashikuar në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht dhe procesi i votimit i cili kishte filluar që prej orës 07:00 në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.
Sakaq, referuar të dhënave të fundit të ardhura nga mediat fqinje mësohet se minutat e fundit kanë sjellë dhe një fluks të madh qytetarësh, të cilët kanë shfrytëzuar momentet e fundit për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
KQZ njoftoi se të gjithë qytetarët që janë në radhë në disa prej qendrave të votimit në Kosovë do të mund të votojnë, teksa më pas pritet që të viijohetme procesin e numërimit të votave për Parlamentin e ri me 120 vende.
Në këto zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit 2025 garuan plot 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certefikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kandidatët kryesorë për Kryeministër të Kosovës janë Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj.
Procesi u organizua nga KQZ në 38 Komuna të Republikës së Kosovës ku dhe u ngritën 941 qendra votimi, ku 38 prej të cilave, pra një e tillë në çdo komunë shërbeu vetëm për votimin me kusht.
Qytetarët e Kosovës dhe në këtë zgjedhje treguan dhe njëherë që respektojnë të jgithë rregullat e vendosura nga KQZ, duke dhuruar kështu një votim të qetë dhe me shumë pak incidente.
Ashtu si dhe raportuam më herët vetëm 6 persona ranë në prangat e policisë për veprime të jashtëligjshme në procesin zgjedhor.
“Edhe pse këto raste nuk mund të konsiderohen të vogla apo të mëdha, ato ndikojnë në imazhin e procesit. Çdo veprim i kundërligjshëm do të ketë pasojat përkatëse,” raportoi prokurorja e Shtetit në Kosovës, Laura Pula.
Sakaq theksojmë se kjo ishte hera e parë që qytetarët në veri të vendit iu rikthyen kutive të votimit, që prej vitit 2022 kur Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që të bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Referuar të dhënave të afishuara deri në orën 17:00 në faqen zyrtare të KQZ mësohet se pjesëmarrja deri në atë orar ka qenë 38.9%.
Kandidatët kryesorë për Kryeministër të Kosovës
Albin Kurti – Kryeministri aktual i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ramush Haradinaj – Kandidat për Kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-NISMA.
Bedri Hamza – Kandidat për Kryeministër nga ana e PDK-së. Kryetar i kësaj partie është Memli Krasniqi.
Lumir Abdixhiku –Kandidati i LDK-së për Kryeministër.

