Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla gjatë një konference të jashtëzakonshme ka deklaruar se deri më tani numri i të arrestuarve si të dyshuar për sulmin terrorist të ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencës, është 8-të. Këto arrestime janë kryer pas një operacioni të gjerë të zhvilluar nga autoritetet kosovare të cilat ushtruan kontrolle të befasishme në 10 lokacione të ndryshme të Kosovës.
Edhe njëherë, Sveçla ka bërë përgjegjës për këtë akt kriminal Serbinë, teksa thekson se terroristët e përfshirë në këtë shpërthim kanë lidhje të forta me Beogradin zyrtar. Më tej ai vijon të thotë se sasi të mëdha eksplozimi, armë e municione luftarake janë sekuestruar si prova materiale të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me sulmin kriminal të ndodhur në veri të Kosovës.
“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste siç janë sulmet e fundit me granata në Zveçan dhe tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike janë sulme që dirigjohen nga Serbia dhe për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar.
Kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake. Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminale.
Pa asnjë dyshim këto akte janë terroriste. Realisht kemi të bëjmë me një luftë të sofistikuar hibride, e cila përfshin të gjitha mënyrat tashmë të njohura të atakimit të Republikës së Kosovës. Patjetër që një pjesë e tyre janë pjesë e strukturave tashmë të njohura si 'Mbrojtja Civile' dhe 'Brigada e Veriut" por gjithsesi në cilindo lloj organizimi ata janë të trajnuar, të nxitur, shtyrë, mbështetur dhe financuar nga Serbia me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës e terrorizimin e qytetarëve të saj." tha Xhelal Sveçla”, ka thënë ministri Zveçla.
Ndërkohë, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka ndarë disa detaje mbi këtë shpërthim të telekomanduar teksa thotë se për të hedhur në erë kanalin e Ibër-Lepencës është përdorur eksploziv deri në 20 kg.
"Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha.