Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Haradinaj është kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët dhe votoi orën 9:00 në shkollën e mesme "Ali Sokoli" në Prishtinë.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Ka filluar mirë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara dhe suksese”, tha ai.
Rreth 1 milion e 971 mijë qytetarë rezidentë me të drejtë vote kanë mundësi t’i drejtohen kutive të votimit në 941 qendra votimi në gjithë Kosovën.
Mbi 125 mijë persona do te votojnë për herë të parë. 104,924 votues ishin regjistruar nga diaspora, afati për votim i të cilëve është mbyllur tashmë.

Në garë janë 28 subjekte politike me rreth 1280 kandidatë për deputetë. Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK kanë edhe kandidatët për kryeministër.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në ora 19:00. Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.
