Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona në Ferizaj, pasi dyshohen se janë të lidhur me spiunazhin serb dhe se kanë bashkëpunuar me BIA-n e Serbisë gjatë këtyre viteve.
Sipas mediave kosovare, dy të dyshuarit e vënë në pranga janë shqiptarë, të identifikuar si B.Sh., dhe M.Q., të cilët kanë ushtruar më parë edhe detyra të larta zyrtare në territorin e Kosovës.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka bërë ndalimin e dy të dyshuarve ndërsa vazhdojnë hetimet për të përfshirë të tjerë, janë sekuestruar edhe pronat e 2 të arrestuarve.
Gjithashtu, mësohet se njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë vitit 1990-1999, ndërsa pas luftës ai ka vazhduar që të mbajë pozicionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.
