Dy orë pas nisjes së procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, është shënuar incidenti i parë. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se janë shoqëruar 5 persona pasi dyshohet se kanë cënuar lirinë e votës.
“Prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, do të veprojnë me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor. Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, ka njoftuar Prokurori i Shtetit.
Qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut janë hapur në orarin e caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 07:00. Ndërsa që në orët para, është vënë re interesi i shtetasve serbë që jetojnë në këtë komunë në veri të Kosovës.
Gjithashtu të pranishëm në këtë qendër votimi janë dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.
