Hapësire reklamuese

Rajoni

Albin Kurti me shpresë për të qëndruar Kryeministër, shkon dhe voton së bashku me bashkëshorten: Sot, një ditë e bukur

Shkruar nga Newsbomb
Albin Kurti me shpresë për të qëndruar Kryeministër,
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje, Albin Kurti, ka votuar mëngjesin e sotëm në Prishtinë. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kurti ka hedhur votën në Fakultetin Ekonomik në kryeqytet.

Pas votimit, Kurti e cilësoi ditën e sotme si të rëndësishme për Kosovën, duke ftuar të gjithë qytetarët që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Ai shprehu shpresën që legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës të konstituohet sa më shpejt, duke mundësuar edhe formimin e qeverisë së re.

“Posa votova këtu në Fakultetin Ekonomik në kryeqytet për legjislaturën e dhjetë të Kosovës. Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. Ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj dhe besoj se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt Kuvendi i ardhshëm dhe njëkohësisht të formohet Qeveria e re.

I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar. Po ashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve”, tha Kurti.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime deri në orën 09:00 ka qenë 2.61 për qind. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00, ndërsa trendi i pjesëmarrjes zakonisht rritet në orët e pasdites.

Këtë të diel, më 28 dhjetor, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote janë ftuar të votojnë, duke shënuar herën e katërt të daljes në zgjedhje brenda këtij viti. Viti 2025 nisi me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe po mbyllet me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë që të shtunën në mëngjes në të gjitha 38 komunat e Republikës së Kosovës. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra votimi, me gjithsej 2.614 vendvotime.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese