Tensionet shoqëruan seancën e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, ku debati mes deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u përshkallëzua në akuza dhe replika të ashpra.
Kapri ngriti shqetësime për situatën e bujqësisë dhe kundërshtoi projektligjet e propozuara nga mazhoranca, duke i cilësuar ato të pamjaftueshme për të zgjidhur problemet e fermerëve. Ai akuzoi qeverinë se po përgatit një nismë për shitjen e tokave bujqësore shtetërore ndaj shtetasve të huaj dhe e lidhi këtë çështje me rastin konkret në Vlorë, ku vetëm disa janë më parë aktori Burak Ozçivit përfitoi një truall ku dhe do të investojë.
“Ka nisur zbatimin për miratimin e këtij projektligji me porosi nga Parlamenti shqiptar. Osmani, aktori turk, erdhi vjet në Vlorë, bëri dy ditë pushime dhe na u shit sikur erdhi e promovoi turizmin shqiptar. Qeveria shqiptare, përmes një vendimi të posaçëm, i dha Osmanit 1 milion metra katrorë tokë, në një nga zonat më të lakmuara të Vlorës. Në gjithë atë zonë të lakmuar janë me dhjetëra familje vlonjate që janë nëpër gjyqe dhe presin të marrin përgjigje për pronësinë e atyre tokave që kanë trashëguar”, ju drejtua Kapri, ndërkohë që Balla hodhi poshtë këto deklarata të bëra nga deputeti i Partisë Mundësia.
Ai mbrojti ndryshimet ligjore, duke argumentuar se ato lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe jo me interesa të veçanta.
“Nxehja është provë e së vërtetës. Kur nxehesh, tregon që e ke mizën nën kësulë. Miza lëviz dhe të shkakton çorientim mendor. Zotëri, ti je një gënjeshtar me pagesë. Erdhe këtu, bëre përsëri të njëjtin gabim dhe u kape me presh në dorë. Ju referova ligjit për tokën bujqësore, ashtu sikurse ligji për censusin e bujqësisë është një ligj që është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të marrëveshjes për anëtarësimin në BE. Erdhe këtu dhe the se ligji për bujqësinë është me porosi, po e bën Taulanti me porosi. I bie që Balla ka korruptuar BE. Prandaj gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra”, ju përgjigj Balla më tej.
Në sallën e Kuvendit pati edhe përplasje personale, pasi Balla përmendi mesazhe dhe çështje që lidhen me familjarë të Kaprit, duke sjellë dhe një reagim të ashpër nga ana e deputetit.
Kapri: Sot në këtë seancë ka 5 projektligje për bujqësinë në Shqipëri. Projektligje të cilat nuk sjellin ndonjë vlerë të shtuar, për sa kohë prej disa vitesh bujqësia është në rënie të lirë. Fermerët janë goditur rëndë për shkak të zhvlerësimit të euros. Fermerët po e ndiejnë më shumë se kushdo tjetër. Në sirtar mazhoranca po mban një projektligj diabolik që mesa duket, do të vijë shumë shpejt.
Është projektligji për shitjen e tokës bujqësore publike ndaj shtetasve të huaj. Shqipëria ka 1.202 mijë hektarë tokë bujqësore në pronësi të shtetit. Në vend që qeveria të mendonte që këto toka të përdoreshin për kompensimin e pronarëve shqiptarë, të cilët ende presin një përgjigje nga qeveria, qeveria ka plane të tjera.
Ka nisur zbatimin për miratimin e këtij projektligji me porosi nga Parlamenti shqiptar. Osmani, aktori turk, erdhi vjet në Vlorë, bëri dy ditë pushime dhe na u shit sikur erdhi e promovoi turizmin shqiptar. Qeveria shqiptare, përmes një vendimi të posaçëm, i dha Osmanit 1 milion metra katrorë tokë, në një nga zonat më të lakmuara të Vlorës. Në gjithë atë zonë të lakmuar janë me dhjetëra familje vlonjate që janë nëpër gjyqe dhe presin të marrin përgjigje për pronësinë e atyre tokave që kanë trashëguar.
Do nxjerrësh letrat e bixhozit dhe do fillosh të bësh bixhoz me fatin e shqiptarëve? Taulant, u ka dalë boja, u ka ardhur fundi. Nuk do të ketë më Kanye Ëest që do t’u dalë për zot. Është gjithë bota e civilizuar që është me të rinjtë shqiptarë. Jeni bërë të urryer, Taulant.
Taulant Balla: Gënjeshtar me pagesë. Më thonë kolegët që të nxjerr mesazhet e tua dhe të familjarëve të tu... e di mirë ti. Mbylle gojën.
Erald Kapri: Më përmendi familjarët, kush familjar?
Balla: Nxehja është provë e së vërtetës. Kur nxehesh, tregon që e ke mizën nën kësulë. Miza lëviz dhe të shkakton çorientim mendor. Zotëri, ti je një gënjeshtar me pagesë. Erdhe këtu, bëre përsëri të njëjtin gabim dhe u kape me presh në dorë. Ju referova ligjit për tokën bujqësore, ashtu sikurse ligji për censusin e bujqësisë është një ligj që është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të marrëveshjes për anëtarësimin në BE. Erdhe këtu dhe the se ligji për bujqësinë është me porosi, po e bën Taulanti me porosi. I bie që Balla ka korruptuar BE. Prandaj gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra. Mban në dorë një letër bakalli që nuk thotë asgjë, vjen këtu dhe mbron interesat e Agron Shehajt.
Duhet ta dish që Shehaj, së bashku me familjarë të tjerë të tij, përfshirë edhe njërin që e ka pasur drejtor të Kadastrës Vlorë, janë të përfshirë në hajdutëri dhe maskaratë e pronave në Vlorë. Arsyeja pse padronin tënd, tutorin tënd politik, nuk e votojnë në Vlorë është pikërisht se një ballist si puna e tij dhe jotja... Ndërkohë ligji për tokën bujqësore nuk ka lidhje fare. Në këtë legjislacion europian thuhet qartë që jemi të detyruar edhe ne, Shqipëria, që e kishim në ligj pamundësinë e shitjes së tokës bujqësore, duhet ta përafrojmë me legjislacionin e BE-së. Kështu e ka edhe Italia, ku Gonia ka blerë tokën dhe vilën. Po e shikoja tokën e Gones, e mirë, e mirë, ç’do qeshë e gjithë Shqipëria kur të dalin ato të shkreta.
Patjetër, patjetër, gabime kam unë, por njërin e çova, atë gjyshin, babain e Gones. Gonen nuk e kam asgjë, e kam pesha kub. Do të presim, sepse në Itali Gonia shkon, blen edhe tokën, edhe vilën. Ne duam të hyjmë në BE? Do blesh edhe vilën, edhe tokën. BE do që ta shesësh edhe tokën. Këtu qartësohet që ti je një gënjeshtar, se vjen këtu dhe abuzon. Mezi po pres të vijë Saliu, se kam një dokument, o ti, që këtë Saliun do ta qeshë Shqipëria për 60 vjet. Saliu ka firmosur me firmën e vet zhvillimin e zonës së Zvërnecit, masterplanin. Por po pres kur të vijë, mbase edhe nuk vjen kurrë, puna e tij.
Kapri: Pavarësisht betejës politike në këtë parlament, midis të resë dhe të vjetrës, kurrë nuk kemi guxuar të përmendim familjarin e askujt dhe sapo e bëri Taulant Balla, duke më shantazhuar, duke më përmendur familjarët. Pavarësisht betejës që kemi me Ballën, nuk kemi guxuar t’i përmendim asnjë familjar të tij. Vjen këtu dhe më shantazhon me familjen time dhe ky është një model që përdorin, duke përdorur gjithçka për të shantazhuar këdo që ka guximin të thotë qoftë edhe mendimin e tij. Të përmendin familjarët, çfarë duhet të ndodhë më shumë? Tjetër, zoti Balla, sapo fola për një denoncim konkret.
Ta thashë, nuk pate guxim të flasësh për Osmanin, u more me familjarët e mi. S’fole për Osmanin. 1 milion metra katrorë mori ky në Vlorë. Pse nuk fole për këtë? Për banorët e Vlorës që enden në gjykata për pronësinë e tokës dhe ia japin Osmanit. Sa për shantazhet e tjera, nuk pinë ujë. Ke provuar gjithçka, Taulant, dhe siç e shikon, përballë na ke dhe përballë do na kesh. Dhe do ta shohësh, Taulant, se kush do të dalë më herët nga politika.
