Taulant Balla nuk do të jetë më ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin. Edi Rama njoftoi se në kabinetin e ri, ai nuk do ta mbajë më këtë post, sepse do të jetë i ngarkuar për drejtimin e socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Pra, përballë opozitës në këtë legjislaturë të re, socialistët do të kenë për kryetar të Grupit Parlamentar, Taulant Ballën. Deri më sot, këtë detyrë e mbante Niko Peleshi.
Edi Rama zgjodhi ta largonte sërish nga kabineti bashkëpunëtorin e tij të ngushtë politik, por e vlerësoi si politikanin më me eksperiencë, në kohën dhe në vendin e duhur. Vetë Balla u fokusua nga kamerat gjatë njoftimit dhe e priti lajmin i qeshur.
"Për eksperiencën e gjatë si deputet dhe për njohjen e detyrës së drejtuesit të grupit më mirë se kushdo, dhe për linjën nepotike jo përmes gjakut me Gramoz Ruçin, Taulant Balla është deputeti i duhur në kohën dhe në vendin e duhur", u shpreh Edi Rama.
Kryesocialisti propozoi gjithashtu Niko Peleshin për kryetar të Kuvendit në legjislaturën e re që do të nisë nesër, sipas dekretit të Presidentit Bajram Begaj. Deputeten e Durrësit, Klodiana Spahiu e propozoi për nënkryetare.

