Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

SPAK i bastisi shtëpinë, reagon për herë të parë Erion Veliaj: I mbështes në hetimin kundër meje dhe familjes sime

Shkruar nga Newsbomb
SPAK i bastisi shtëpinë, reagon për herë të parë
FotoMontazh/ Ajola Xoxa dhe Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë në lidhje me kontrollin që kanë ushtruar hetuesit e BKH-së në banesën e tij mëngjesin e kësaj të premte.

Gjatë këtyre kontrolleve, agjentët i kanë sekuestruar telefonin bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës.

Veliaj në reagimin e tij mbështet hapat procedurale të kryera nga Prokurorinë e Posaçme në hetimin pasuror që po zhvillohet ndaj tij dhe familjarëve të tij, duke i konsideruar ato të mirëpritura.

Por gjithashtu kryebashkiaku shprehet se ai është përballur gjatë me sulme nga opozita dhe media që përpiqen të dëmtojnë imazhin e tij dhe të familjes së tij, por siguron se ai nuk bën pjesë në kastën e vjetër politike që ka shmangur llogaridhënien dhe ndëshkimin.

"Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.

U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.

Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.

Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë."

SPAK i bastisi shtëpinë, reagon për herë të parë

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ku ushtruan kontroll në banesën e kryebashkiakut me urdhër të prokurorit Ols Dado.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar doli me një njoftim zyrtar lidhur me kontrollet e zhvilluara në mëngjesin e kësaj të premte në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Përmes një reagimi zyrtar, SPAK tha se janë ndërmarrë disa veprime hetimore, ndërsa hetimi është ende në faza paraprake. Në pamundësi për të dhënë më tepër detaje lidhur me hetimet, SPAK ka kërkuar mirëkuptimin e mediave.

"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment. Faleminderit për mirëkuptimin", - thuhet në reagimin e SPAK.

Pas kontrolleve në banesë, agjentët e BKH-së të shoqëruar nga Xoxa u zhvendosën në ambientet e galerisë “Harabel”, ku kanë ushtruar kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura lidhur me pasurinë e Veliajt dhe familjarëve të tij.

Kontrolle janë kryer dhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut Veliaj, Abër Veliaj, teksa pritet që agjentët të shkojnë dhe në zyrën në Bashki të së parit të qytetit të Tiranës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese