
Belind Këlliçi, deputet i Partisë Demokratike, ka sulmuar Skënder Hitën menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave, për Drejtues të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ai e cilëson kryepolicin e ri, ushtar të Belinda Ballukut, edhe sipas një artikulli të medias pranë opozitës.
"Por që të kesh besimin, që të fitosh zemrën e Edi Ramës, duhet të jesh menaxher i mirë i bandave e krimit të organizuar, të njohësh interesat e tyre, të garantosh paprekshmëri për ta, të sulmosh kundërshtarët politikë dhe të mbushësh thesin me vota për rilindjen.
E po ashtu, të kontribuosh në çështjen Balluku, edhe tani që ajo ka nevojë të ketë policinë e shumë asete të tjera publike e qeveritare në dispozicion për të penguar hetimin e drejtësinë. Ky është Drejtori i ri i Policisë. Të tjerat, konkurset e kriteret, ushqim i ndenjur për progagandën e lodhur", shkruan ai.
Skënder Hita është bërë pjesë e Policisë së Shtetit pak pas të 20-tave dhe prej dy dekadash e gjysmë vazhdon karrierën me integritet dhe profesionalizëm të lartë, duke mbajtur detyra të rëndësishme kryesisht në luftën kundër krimit, raporton newsbomb.al.
Por sipas Belind Këlliçit, dy kriteret e kryepolicit, për të cilat nuk flitet zyrtarisht janë pikërisht ato që lidhen me fushatën elektorale në Fier dhe "tërmetin" që Belinda Balluku në atë kohë zëvendëskryeministre dhe drejtuese politike e PS, shkaktoi duke marrë 12 mandate historike.
"E para, kontributi i tij madhor në farsën elektorale të 11 majit, në Qarkun e Fierit, me rekordet e një rezultati Bjellorus, ashtu siç Edi Rama po e kërkon nëpër gjasme analiza e asamble.
E dyta, lidhja e fortë me Belinda Ballukun, për të cilën Edi Rama është gati të ngrejë kartonat në Kuvend për ta mbrojtur, dhe të prapësojë SPAK e reformën në drejtësi", vijon më tej deputeti demokrat Belind Këlliçi.

