Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike, një nga organet më të larta të kësaj force politike, është mbledhur me urgjencë mbrëmjen e kësaj të enjte, për vendimin e Gjykatës së Apelit sot për dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji.
Lidershipi i PD, u ka kërkuar që të gjithë anëtarëve që të jenë prezent në mbledhjen e Kryesisë, ndërsa newsbomb.al mëson se një pjesë tjetër e anëtarësisë do të marrë pjesë online.
Pak minuta më parë, në selinë blu pranë "Rrugës së Elbasanit" ka mbërritur dhe vetë deputeti Ervin Salianji. Ai e ka përshkruar në këmbë rrugën nga porta e selisë deri në ambientet e brendshme, duke u përshëndetur me gazetarët, por pa u prononcuar.
Në këtë mbledhje, Kryesia e Partisë Demokratike do të përcaktojë hapat që do të ndjekë në aksionin e saj politik. Ndërkohë, nesër më 27 shtator pritet që deputetët demokratë të mblidhen sërish, ku pritet të vendoset kushtëzimi i raporteve me Kuvendin e Shqipërisë.
Vendimi i sotëm për dënimin e Ervin Salianjit ka gjasë që "të shkatërrojë" të ashtuquajturin konsensus që PS dhe PD kishin arritur në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar.
Kujtojmë se, këtë të enjte datë 26 Shtator 2024, Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e disa viteve më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, për dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për dosjen "Babale".
© Newsbomb.al

