Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka deklaruar sot nga kampi i Shëngjinit në Lezhë se sulmi dhe "balta" ndaj Shqipërisë nga televizionet e vendit të saj nuk kanë lidhje me Ramën dhe popullin shqiptar, por bëhen nga pozicione armiqësore në Itali.
- Cili është burimi i gjithë kësaj balte e hedhur ndaj Shqipërisë dhe kryeministrit Edi Rama, që në momentin kur ju në Romë nënshkruat këtë marrëveshje. Është një sulm e opozitës, apo është një tekë gazetareske?
Giorgia Meloni: Unë mendoj se arsyeja e vërtetë nuk është që të sulmohet qeveria shqiptare, populli shqiptar, por besoj se janë pozicione armiqësore ndaj qeverisë italiane të cilat luajnë në këndvështrimin e tyre, duke shpalosur gjithë qëndrimin e tyre. Për të sulmuar qeverinë italiane, goditet dhe sulmohet dhe një partner ndërkombëtar.
Pavarësisht suksesit ose jo të marrëveshjes, e gjitha kjo është pjesë e përbaltjes që i bëhet qeverisë italiane. Këtu rrezikojmë t'i shkaktojmë dëme të gjithë vendit, por gjithsesi edhe përse bëhet fjalë për shtypin italian, ata kanë bërë një zgjedhje të tyre. Unë shpreh solidaritet që ta hedhim poshtë këtë përbaltje. Në të ardhmen do të jemi më të vëmendshëm ndaj marrëveshjeve që propozojmë. Nuk mund të kompromentojmë marrëdhëniet e fqinjësisë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u pyet se cilat do të jenë përfitimet e Shqipërisë nga strehimi i emigrantëve në Lezhë, sepse qeveria nuk ka kërkuar para nga Italia, por nisur nga fakti se personat që do të vendosen në kampe do të ushqehen e do të plotësojnë nevojat e tjera në ekonominë lokale.
- Zoti, Rama, cili do të jetë përfitimi i Shqipërisë?
Edi Rama: Ne e kemi përsëritur vazhdimisht që ky proces i përfshirjes së Shqipërisë në komunitetin e vendeve demokratike, i anëtarësimit të saj në NATO, apo i anëtarësimit të saj në BE, si dhe fakti që Shqipëria më në fund pas qindra vjetësh nën perandori e regjime ka zgjedhur të jetë pjesë e këtij komuniteti, dhe për këtë ka aleatë strategjikë BE dhe SHBA, ashtu siç ka gjithë të mirat ka dhe pjesën që është sfiduese.
Ne mund të thoshim jo siç thanë të gjithë të tjerët kur ata në Kabul u lanë në mëshirën e fatit, por duke qenë një vend që jemi në NATO, ama jemi të vetëdijshëm që nuk jemi një fuqi ushtarake që mund të përcaktojmë fatin e luftërave ku futet NATO, na takonte ne edhe për traditën tonë. Ne jemi lindur në një vend që në ADN e vetë e ka të shkruar që shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.
Ne bëmë atë gjest, jo të kalkuluar se çfarë do të fitojmë ne, por ne po paguajmë me shpenzimet tona për qëndrimin e afganëve.
Kam dëgjuar lloj-lloj gjërash se çfarë fshihet pas kësaj marrëveshje, ndërkohë që ne nuk kemi kërkuar asnjë 1 Euro. Se në momentin që do e kërkonim, ne nuk do ishim më ne. Çfarë do fitojë ekonomia lokale këtu nga kjo marrëveshje dhe nga fakti që këta njerëz do ushqehen, dhe natyrisht janë burimet ekonomike të zonës, ne nuk e kemi bërë këtë kalkulim.