
Kryeministrit Edi Rama duket se nuk i ka dalë inati me italianët, konkretisht gazetarët që erdhën në vendin tonë dhe dedikuan disa artikuj e reportazhe për situatën në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në kampin e Shëngjinit krah kryeministres Meloni, ai tha se shpirtin e ka ende të trazuar.
"Shpresoj që të mund të kuptohet trazimi që kam në shpirtin tim për faktin që kam jetuar si kryeministër i këtij vendit dhe kam parë gjithë këtë spektakël gjysmë të vërtetash, falsitetesh të mëdha", u shpreh Rama, ndërsa më herët i ironizoi drejtpërdrejt gazetarët e vendit fqinj.
Gëzohem që jeni shëndoshë e mirë, ju drejtua ai italianëve, duke ju treguar se gjithë rrugëtimi i tyre në Shqipëri kishte qenë i sigurt dhe mafia shqiptare për të cilën ata kishin shkruar - se merret me trafikim të qenieve njerëzore - nuk ekziston.
Më tej, Edi Rama theksoi se për Shqipërinë është nderë që t'i shërbejë Italisë në këtë situatë ku vendi fqinj ndodhet me emigrantët. Sipas kryeministrit, shqiptarët janë krenarë që po japin ndihmën e tyre për Italinë, sepse ajo ka qenë një avokate e madhe e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
"Për ne këtu në Shqipëri, nuk ka të bëjë ngjyra e forcave politike që kanë qeverisur Italinë, por me të gjithë kemi pasur një marrëdhënie vëllazërie. Të gjithë kanë bërë më të mirën e tyre për të na ndihmuar. Kjo duhet të kuptohet dhe nga shokët e mi të dashur të së majtës italiane", vijoi ai.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama në Gjadër, Lezhë:
Unë jam krenar për Shqipërinë që do mund t'i shërbejë Italisë. Italia i ka shërbyer Shqipërisë. Nëse ne do të jemi të dobishëm për t'i shërbyer asaj, le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë me zemër e bindje se deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është një hapësirë që na ndan, por që na bashkon. Në një çast kaq të vështirë për Italinë dhe gjithë Europën, ne jemi krenarë që mund të japim ndihmën tonë, jo si europianë të bashkuar brenda BE, por si europianë me BE.
Në vend që të flasim dhe të flasim, ne u përpoqëm të bëjmë pa pasur pretendimin që ta zgjidhim këtë problem kaq të madh të migracionit në Europë, por nga ana tjetër pa ndenjur në vend thjesht duke biseduar e folur siç bënin dikur priftërinjtë e Kostandinopojës.
Shpresoj që të mund të kuptohet trazimi që kam në shpirtin tim për faktin që kam jetuar si kryeministër i këtij vendit dhe kam parë gjithë këtë spektakël gjysmë të vërtetash, falsitetesh të mëdha. Dua të falenderoj Giorgian, kryeministren e një vendi me të cilin jemi të lidhur në mënyrë të pashlyeshme, për të gjithë vullnetin e mirë që ka treguar teksa e ka shoqëruar Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE.
Italia ka qenë gjithmonë avokati ynë në Bruksel. Të kesh sot nderin të jemi të dobishëm, është diçka që ne e shohim si bekim.
Për ne këtu në Shqipëri, nuk ka të bëjë ngjyra e forcave politike që kanë qeverisur Italinë, por me të gjithë kemi pasur një marrëdhënie vëllazërie. Të gjithë kanë bërë më të mirën e tyre për të na ndihmuar. Kjo duhet të kuptohet dhe nga shokët e mi të dashur të së majtës italiane.
Për ne, qeveria italiane ka qenë, është dhe do të jetë qeveria e një vendi me të cilin na lidh një miqësi shumë e veçantë. Nëse gabon qeveria italiane, ne marrim pjesë në atë gabim pa asnjë ngurim, por le të mos e kthejmë këtë në një çështje politike të përditshme.
Jemi shumë të ngjashëm. Një ngjashmëri e cila ndonjëherë të bën të mendosh se përse nuk i bashkojmë dy vendet tona në një, dhe kështu të bashkojmë partitë politike dhe gazetarët. Le të bëjmë një festë të madhe.