Është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Durrësit për Meklajd Meçaj, autorin e vrasjes me thikë të fqinjit të tij, Rrapush Memolla. Gjykata caktoi masën “arrest me burg” për 27-vjeçarin, i cili mbrëmjen e së shtunës goditi për vdekje 60-vjeçarin.
Gjatë seancës, Meçaj është shfaqur gjakftohtë dhe me dorën e fashuar, pasi në momentin e përleshjes me viktimën ka mbetur i plagosur.
I riu në dëshminë para trupit gjykues ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim ta vriste Memollën dhe pretendon se ky i fundit e ka qëlluar i pari me thikë. Më tej ai ka dhënë detaje nga ngjarja e rëndë, ku tha se 60-vjeçari e ka provokuar duke ndaluar makinën para shtëpisë së tij dhe duke ndezur dritat e gjata.
“Në atë ngjarje kam qenë unë dhe viktima. Ai më ka goditur i pari dhe unë kam mbrojtur veten time. Nuk kam dashur ta vras. Edhe mua më vjen keq, unë nuk jam vrasës…”, mësohet të ketë thënë ai.
Ndërsa i pyetur nga gjyqtari nëse kishte ndonjë konflikt personal me Rrapush Memollën, Meçaj e ka mohuar, teksa tha se ishte kushëriri i tij që kishte probleme me viktimën.
“Jo, unë personalisht me atë personin… po kushëriri im ka pasur konflikte. Jo me mua, me mua asgjë, unë kurrë s’kam folur me atë”, tha më tej Meçaj.
Pas këtyre deklaratave, Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e prokurorisë duke e lënë atë në qeli deri në fund të hetimeve.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në Rrogozhinë. Sipas policisë, gjatë një konflikti të çastit mes dy fqinjëve, Meklajd Meçaj qëlloi me thikë Rrapush Memollën, i cili fillimisht mbeti i plagosur e më pas humbi jetën në spital.
Ndërkohë, 27-vjeçari, i cili po ashtu mbeti i plagosur, u arrestua nga policia.
