Mijëra fluturime janë anuluar sot, pasi sulmet ajrore të vazhdueshme kanë detyruar mbylljen e aeroporteve kryesore në Lindjen e Mesme, duke shkaktuar një nga tronditjet më të mëdha në aviacionin ndërkombëtar në vitet e fundit.
Aeroportet kryesore të tranzitit në rajon, përfshirë Dubain dhe Abu Dhabin në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Dohan në Katar, u mbyllën plotësisht ose funksionuan me kapacitete shumë të kufizuara.
Pjesa më e madhe e hapësirës ajrore mbi Gjirin mbetet e mbyllur, ndërsa rajoni përballet pasiguri pas sulmeve amerikane dhe izraelite që vranë udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamene ditën e djeshme.
Izraeli deklaroi se do të nisë një valë tjetër sulmesh ndaj Iranit gjatë ditës së sotme. Ndërkohë, shpërthime të fuqishme u dëgjuan për të dytën ditë radhazi pranë Dubait dhe mbi Doha, pasi Irani ndërmori sulme ajrore hakmarrëse ndaj vendeve fqinje të Gjirit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait raportohet se ka pësuar dëme gjatë sulmeve iraniane, ndërsa edhe aeroportet në Abu Dhabi dhe Kuvajt janë goditur. Mijëra fluturime janë prekur në të gjithë Lindjen e Mesme që kur SHBA-të nisën sulmet e para ndaj Iranit të shtunën, sipas të dhënave në FlightAëare, një platformë gjurmimi fluturimesh.
