Deputetja socialiste Aulona Bylykbashi thotë se i ka ndjekur reagimet e koleges Elisa Spiropali dhe në përgjigje të prezantimit që ajo bëri sot me platformën për hapjen e partisë, theksoi se demokracia në këtë forcë politike është shumë i lartë.
E pyetur në emisionin “Off the Record” në A2CNN, deputetja socialiste u shpreh se PS ka një statut dhe struktura ku diskutohen pretendimet e secilit dhe pastaj vendimet që merren "brenda shtëpisë", i komunikohen publikut.
“I kam ndjekur patjetër reagimet e Spiropalit. Folëm për demokracinë, PS është shumë e hapur, madje nuk kanë kaluar 2 muaj nga një fushatë e re anëtarësimesh që kishte bënte me këtë objektiv, hapjen e PS.
Demokracia e brendshme është në nivel aq të lartë, saqë secili nga ne dhe kolegët tanë kanë të drejtë të shprehin opinionin e tyre. Në këtë prizëm edhe znj.Spiropali ka të drejtë të shprehë çdo opinion në raport me organizimet brenda partisë, qeverisjen me të gjitha.
PS ka një statut, ka struktura, ku diskutohen këto pretendime të palëve dhe brenda shtëpisë sonë marrin vendime dhe i bëjmë të qarta për publikun. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe kështu do ndodhë. Në shtëpinë socialiste dëgjohet çdo anëtar i familjes dhe vendimmarrja është kolegjiale”, është shprehur Aulona Bylykbashi.

