Hapësire reklamuese

Politikë

"Duhet të kuptojmë çfarë kërkon populli", Belind Këlliçi flet si nënkryetar i PD: Koha e përballjes dhe qëndresës ka ikur, tani duhet të shndërrohemi në alternativë

Shkruar nga Newsbomb
"Duhet të kuptojmë çfarë kërkon populli",
FotoArkive: Ish-nenkryetari Luçiano Boçi dhe nenkryetari i ri, Belind Këlliçi

Nënkryetari i ri i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi është shprehur mbrëmjen e sotme se procesi i ripërtëritjes së kësaj force politike po shënon një fazë të re, e cila sipas tij duhet të fokusohet te ndërtimi i një alternative për qytetarët.

I ftuar në emisionin në SYRI TV, ai foli për zgjedhjen e tij në postin e nënkryetarit të PD-së dhe përgjegjësinë që mbart kjo detyrë në një moment të rëndësishëm për partinë. Teksa falenderoi anëtarësinë, Këlliçi theksoi se ky vendim vjen si një mesazh për një qasje të re politike.

Sipas deputetit Belind Këlliçi, Partia Demokratike duhet të jetë alternativë për çdo qytetar, veçanërisht për të rinjtë dhe shqiptarët që janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit.

"Zgjedhja ime si nënkryetar i Partisë Demokratike pikë së pari vjen për shkak edhe të asaj mbështetje që më dha Këshilli Kombëtar, që i falënderoj nga zemra të gjithë anëtarësinë e Këshillit Kombëtar për votëbesimin.

Por mbi të gjitha vjen në një moment shumë të rëndësishëm, si një përgjegjësi shumë e madhe dhe për mua. Si një mesazh shumë i qartë që, okej, nëse është vlerësuar kontributi im deri tani, pa diskutim ka ikur koha e rezistencës, e qëndresës, e le të themi përballjes shumë-shumë të fortë. Kjo në mënyrë të padiskutueshme ka ndodhur dhe do të vijojë të ndodhë, por ne duhet të jemi tashmë alternativë.

Duke filluar nga unë i pari, pritet shumë më shumë. Duhet të jemi alternativë për çdo qytetar, duhet të jemi alternativë për të rinjtë, duhet të jemi alternativë për sheshin. Duhet të jemi alternativë për çdo qytetar që ka ikur edhe nga Shqipëria në këto 10 vite që nuk janë pak, të paktën 1 milion shqiptarë që janë larguar", është shprehur ai.

Më tej, Belind Këlliçi tha se Partia Demokratike tani duhet të reflektojë për atë që kërkon shoqëria, edhe lidershipi i saj, me "ripërtëritjen" e djeshme duhet të kenë synim nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

"Ky është momenti që ne do të duhet të reflektojmë të gjithë për të kuptuar atë që kërkon shoqëria. Unë besoj që kjo ripërtëritje e ka një mesazh të fortë. Duhet të dini një gjë, nga kryesia aktuale, nga sekretariati aktual, dhe nga nënkryetarët, janë vetëm tre persona që janë të rikonfirmuar. Kjo është ripërtëritja më e thellë që ka ndodhur në Partinë Demokratike ndonjëherë.

Që të flasim, tashmë të flasim me fakte, me shifra, me emra, ja ku i keni. Keni dy nënkryetarë të rinj, por ju garantoj që po t'i hyni listës të gjithë sekretariateve, edhe të anëtarëve të Komisionit të Apelimit, aty do të gjeni vetëm të rinj e të reja. Për hir të vërtetës, pra dhe ky është një mesazh që e jep Partia Demokratike, pra ripërtëritja u bë realitet", ka thënë Belind Këlliçi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese