Juristi Ylli Manjani ka kujtuar një debat të zhvilluar në vitin 2004 në Kryesinë e Partisë Socialiste, pjesë e së cilës ishte edhe vetë. Bëhet fjalë për emërimin e një zëvendësministri nga kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano.
Manjani tha se, pas katër orësh diskutimesh në mbledhjen e Kryesisë, Nano nuk arriti ta emëronte zëvendësministrin që kishte propozuar, pasi Kryesia nuk e miratoi kërkesën e tij.
Po ashtu, ai u shpreh se në atë kohë në Partinë Socialiste kishte një kulturë të fortë debati dhe tolerance, duke theksuar se një meritë të madhe për këtë kishte Fatos Nano.
Manjani: Në PS dikur kishte debat. Kam qenë dëshmitar i asaj situate. Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, nuk bënte dot një zëvendësministër. U deshën katër orë mbledhje të Kryesisë dhe prapë nuk e bëri dot, sepse nuk e lejoi Kryesia. Kjo quhet parti. Unë e njoh mirë atë parti. Ai brez socialistësh e kishin politikën në lëkurë dhe e bënin pa hile.
Mendimi ishte mendim, toleranca ishte e jashtëzakonshme dhe merita ishte, pa diskutim, e Fatos Nanos. Por mos harroni se në Kryesinë e PS-së kishte profesorë, doktorë, njerëz të arsimuar, me përvojë politike dhe që u peshonte fjala.
