Kryetari i Gupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, duke shënjestruar kryeministrin Edi Rama.
Sipas Bardhit, kjo është prova që kreu i shtetit është marrë peng nga bandat e krimit dhe se listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre në zhgjedhje nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama.
Bardhi hedh akuza të forta duke deklaruar se rasti i bashkëpunimit të Jurgis Çyrbjas me aktorë të krimit, nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark dhe në çdo bashki.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, demokrati thekson faktin se opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por thirrjet kanë rënë në vesh të shurdhët.
“Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to,” shkruan Bardhi.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat. Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki.
Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjesim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë. Opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por Kryeministri i bandave ka bërtitur “shpifje, shpifje, shpifje”, dhe sot si gjithmonë pasi i provohet, fshihet dhe hesht!
Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to.
Kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër.