Kryeministri Edi Rama ka vendosur këtë të enjte të riformatojë gjysmën e kabinetit qeverisës, me një nga vendimet e tij më surprizuese, teksa socialistët ishin "ngujuar" prej 9 orësh në Pallatin e Brigadave dhe ministrat u shpalosnin qytetarëve objektivat për të ardhmen.
Ashtu siç ai di të bëjë në fakt, kryeministri i habiti të gjithë ata që prisnin se çfarë do të vendosej për fatin politik të Belinda Ballukut, e cila është pezulluar nga detyra e Zëvendëskryeministres me kërkesë të SPAK, si e akuzuar për disa vepra penale.
Diskutimet Edi Rama i hapi vetë, duke ju drejtuar për plot 100 minuta socialistëve në sallë dhe gjithë atyre që e ndiqnin drejtpërdrejt. Mbledhja ishte tepër hermetike deri kur Edi Rama vendosi të riformatonte gjysmën e kabinetit, me emërime, largime dhe rotacion.
Ai shkarkoi Elisa Spiropalin nga detyra si Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në vend të saj emëroi në krye të diplomacisë shqiptare një nga ambasadorët tanë të karrierës, Ferit Hoxhën, i cili ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në OKB për disa vite.
Gjithashtu, Edi Rama zëvendësoi edhe Belinda Ballukun. Detyrën e saj si ministre ia besoi Enea Karakaçit, një administrator me përvojë në drejtimin e OSHEE, ndërsa atë si zëvendëskryeministre ia besoi Albana Koçiut, shkruan newsbomb.al.
Kjo e fundit njihet si një bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit, që nga koha kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe Koçiu ishte drejtuese e disa drejtorive të rëndësishme, deri në vitin 2013 kur mori drejtimin e Departamentit të Administratës Publike.
Ajo e drejtoi DAP-in për një dekadë nga 2013 deri në 2023, kur Edi Rama vendosi ta merrte në kabinetin qeveritar si Ministre e Shëndetësisë. Në mandatin e katërt, Albana Koçiu u emërua Ministre e Brendshme, duke u bërë e para grua që i besohej ky dikaster.
Nga sot, ajo është Zëvendëskryeministre e Shqipërisë dhe zëvendëson Belinda Ballukun.
© Newsbomb.al


