Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve në Hungari, ku votuesit i dhanë fund një periudhe të gjatë në pushtet të Viktor Orbanit.
Përmes një postim në rrjetet sociale, ajo e interpreton këtë zhvillim si një moment me peshë jo vetëm për Hungarinë, por edhe për vetë Europën. Sipas saj, për vite me radhë modeli i qeverisjes së Orbanit ka vënë në diskutim parimet mbi të cilat funksionon Bashkimi Europian, duke theksuar se demokracia nuk lidhet vetëm me shumicën, por edhe me kufizimin e pushtetit dhe respektimin e standardeve.
“Hungaria dhe prova e Europës. Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.
Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit”, shkruan Spiropali, teksa më tej është ndalur edhe te rezultati i zgjedhjeve, duke e parë atë si dëshmi se edhe në sisteme të konsoliduara ekziston hapësirë për ndryshim dhe për një reagim të gjerë qytetar. Ajo vlerëson se ky zhvillim tregon se shoqëritë kanë ende kapacitet për të rikthyer balancat dhe për të kërkuar institucione funksionale.
Në të njëjtën kohë, ish-ministrja e konsideron këtë moment si një sinjal më të gjerë për Europën, duke nënvizuar se besimi te vlerat demokratike mund të rikonfirmohet edhe në kohë sfidash.
Reagimi i plotë:
Hungaria dhe prova e Europës
Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.
Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit.
Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur.
Ky ndryshim madhor në Hungari do të thotë se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë ende fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione që funksionojnë.
Por mbi të gjitha, do të thotë se Europa, sot, fitoi një betejë më të madhe; besimin në vetvete. Në një kohë kur ndikimet e jashtme, përfshirë influencën ruse, kanë kërkuar të zbehin këtë besim, një kthesë e tillë tregon se vlerat europiane nuk janë thjesht parime në letër, por forca madhore që mund të rikthehen dhe të mbrohen nga vetë shoqëritë.

