Prokuroria e Posaçme ka njoftuar sot zyrtarisht faktet penale në ngarkim të ish-deputetit socialist Jugris Çyrbja. Bie në sy akuza për zbulimin e sekreteve shtetërore, për persona të kërkuar nga drejtësia, por që Jurgis Çyrbja kishte miqësi me ta dhe i informonte për operacionet policore.
"Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik (të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7 (shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror, pasi me përmbajtjen e tyre rezulton se është vënë në dijeni personi nën hetim Jurgis Çyrbja", thotë SPAK.
Pra, funksionarë publik janë vënë në shërbim të deputetit socialist dhe i kanë dhënë atij informacione sensitive për personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, të cilët ishin njohje e Jurgis Çyrbjas dhe i përdornin informacionet për t'i shpëtuar autoriteteve.
Faktet penale në ngarkim të deputetit, sipas SPAK:
1- Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se aktet sekrete me anën e të cilave është vënë në dijeni personi nën hetim Jurgis Çyrbja, konfirmonin faktin se bashkëbiseduesit e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” ishin persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror, i është transmetuar pikërisht personave të shpallur në kërkim.
2- Gjithashtu, personi nën hetim Jurgis Çyrbja, është vënë në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror u është transmetuar personave të shpallur në kërkim, si drejtpërdrejtë prej tij, ashtu edhe përmes angazhimit të personit tjetër nën hetim Ahmet Masha, me qëllim për të mundësuar njoftimi i personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Informacionin që personat nën hetim Jurgis Çyrbja, dhe Ahmet Masha, u kanë transmetuar personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar ka shërbyer si një e dhënë e rëndësishme që këta persona të qëndronin të fshehur me qëllim që t’i shpëtonin kapjes apo arrestimit të mundshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke konsumuar elementët e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.
3- Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se personi nën hetim Jurgis Çyrbja, në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim Altin Hajri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari Jurgis Çyrbja, për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Altin Hajri, duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër personi nën hetim Altin Hajri, në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari Jurgis Çyrbja, i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votuesë në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
© Newsbomb.al