Debati i disa ditëve më parë mes analistit Lutfi Dervishi dhe deputetes socialiste Briseida Çakërri vijon të prodhojë reagime. Gjithçka nisi nga një pyetje që Dervishi i drejtoi deputetes gjatë një interviste: "Si e shpjegon shpartallimin e euros?", ndërkohë që në përgjigjen e saj Çakërri u shpreh shkurt: "Është forcuar leku!".
Deklarata e deputetes e cila theksoi se kishte përfunduar studimet universitare për Financë, u bë menjëherë virale në rrjetet sociale dhe nxiti komente të shumta.
Për këtë debat është ndalur së fundmi edhe kryeministri Edi Rama, ku gjatë një takimi mesditën e kësaj të premte me sipërmarrësit, kreu i qeverisë kritikoi analistin, pa ia përmendur emrin, por duke iu referuar qartë episodit të përfolur.
“Po e mbyll me njërin, se e pashë në një nga këto fast food-et që sjell algoritmi. I thoshte me një pamje prej kompetenti, por një personazh që nuk ka asnjë atribut që të mbështesë kompetencën e vet, as shkollë për ekonomi e financë, as ndonjë trajnim për ekonomi e financë, asnjë ditë punë gjëkundi, përveçse në industrinë e llafeve dhe thashethemeve”, tha Rama, teksa vazhdoi më tej duke i dhënë të drejtë deputetes së tij.
Sipas kryeministrit, interpretimi se euro “ka rënë” është i gabuar, pasi sipas tij fenomeni duhet parë si një forcim i monedhës kombëtare.
“E thoshte: "Po mirë, pse ka rënë euro?" Dhe kur dëgjoj përgjigjen më të natyrshme se është forcuar leku, sikur kapi gabim dikë që dha një gafë. E vërteta është që nuk ka rënë euro, por që është rritur leku. Leku është pasqyrë e një ekonomie tjetër që nuk është ekonomia që ka qenë para 5 vitesh”, tha Rama më tej.
Kujtojmë se disa ditë më parë deputetja socialiste ishte e ftuar në A2CNN ku dhe përballë kishte analistin dhe profesorin. Lutfi Dervishi. Përpos shumës që qeveria akordoi për koncertin e Kanyë West, në atë studio u diskutua dhe për protestat, por edhe për ndikimin e euros në ekonominë shqiptare.
Konkretisht episodit që dhe kryeminstri iu referua së fundmi, Dervishi dhe Çakërri thanë:
Lutfi Dervishi: Si e shpjegon rritjen e euros (zhvlerësimin) dhe rritjen galopante të çmimeve? Cila logjikë ekonomike e shpjegon?
Briseida Çakërri: Është inflacion.
Lutfi Dervishi: S’ka lidhje me inflacionin.
Briseida Çakërri: Inflacioni është kudo në botë. Rritjen e çmimeve nuk keni për ta ndryshuar. Nuk e ndalon dot. Siç janë rritur çmimet janë rritur edhe pagat.
Lutfi Dervishi: Si e shpjegon shpartallimin e euros?
Briseida Çakërri: Është forcimi i lekut.
Lutfi Dervishi: Po ti the inflacion…”
Briseida Çakërri: A jemi në Shqipëri? Me ça punojmë ne? Është forcim leku.
Lutfi Dervishi: Atëherë nuk ka inflacion.
Briseida Çakërri: Nuk thashë që s’ka inflacion.
Dervishi: Leku forcohet kur ka deflacion, jo inflacion. Si paska ndodhur kjo?
Deputetja: A jemi në Shqipëri? Me ça punojmë ne?
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama ditën e sotme, 17 korrik:
Një shembull shumë të thjeshtë. Para se të ngjitesha këtu, aty te shkallët kishte më shumë njerëz të ulur në shkallë sesa ka këtu. Ishin të gjithë turistë të huaj. Ky është realiteti i Shqipërisë sot. Po të ecësh nëpër Tiranë, nuk janë qytetarët e Tiranës që ecin aq shumë sa janë turistët që ecin dhe kështu është Shqipëria.
Për herë të parë në 5 vite kam parë një grafik në ngecje, jo në rënie, muajin qershor. Jemi rritur deri në fund të majit me 26% nga viti i kaluar, në muajin qershor kemi 1% rritje dhe shumë kancelime rezervimesh. Gjithsesi, e vërteta është që 8.5 miliardë euro hyjnë në ekonominë shqiptare nga jashtë, nga të huajt, pra turistë 5.7 miliardë dhe investime të huaja 1.7 miliardë, një shifër rekord që këtë vit do të jetë edhe më e lartë, dhe remitancat që janë të ditura.
Çfarë diskutojmë këtu tani? Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe parash të pista, por kush na linte këtu nëse ishte e vërtetë, që të vazhdonim të mbyllnim kapitujt për në BE? Vetëm ideja që kjo mund të ishte e vërtetë do të kishte stopuar çdo gjë.
Ndërkohë që sot risia nuk është se ka ardhur një çetë nga hëna dhe po lufton këtu me korrupsionin, risia është që sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK është pjesë e sistemit dhe kjo është risia e madhe, sistemi po lufton. Deri dje nuk luftonte sistemi. Nuk kishte sistemi balancat e brendshme për të garantuar imunitet, sot lufton sistemi.
Fakti që edhe u përmend këtu dhe kapen njerëz të përfshirë me një rrjet që ka mundësinë e sjelljes së parasë së pistë është historik. Për çfarë? Për të treguar rritjen e nivelit të imunitetit të sistemit, por nuk tregon që është vetëm një detaj i vogël në malin e madh të narkoshtetit, tregon që po goditet edhe korrupsioni, edhe krimi i organizuar, trafiqet, rrjetet, po goditen dhe natyrisht, duke qenë në sytë e të gjithëve në mënyrë të vazhdueshme, perceptimi kthehet përmbys.
Po e mbyll me njërin, se e pashë në një nga këto fast food-et që sjell algoritmi. I thoshte me një pamje prej kompetenti, por një personazh që nuk ka asnjë atribut që të mbështesë kompetencën e vet, as shkollë për ekonomi e financë, as ndonjë trajnim për ekonomi e financë, asnjë ditë punë gjëkundi, përveçse në industrinë e llafeve dhe thashethemeve. E thoshte: "Po mirë, pse ka rënë euro?" Dhe kur dëgjoj përgjigjen më të natyrshme se është forcuar leku, sikur kapi gabim dikë që dha një gafë. E vërteta është që nuk ka rënë euro, por që është rritur leku. Leku është pasqyrë e një ekonomie tjetër që nuk është ekonomia që ka qenë para 5 vitesh.

