Është identifikuar personi i tretë i shpallur në kërkim, për lidhje të errta kriminale me ish deputetin socialist Jurgis Çyrbja. Bëhet fjalë për të shumëkërkuari Altin Hajri, i cili rezulton në kërkim nga policia prej 4 vitesh për përfshirjen në zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, u arrestua nga Prokuroria e Posaçme dhe u transferua nga Durrësi në Tiranë, ku akuzohet për korrupsion, përkrahje të autorit të krimit dhe tregtimin e sekreteve shtetërore. Arrestimi i tij është pjesë e një hetimi të gjerë që përfshin bashkëpunimin me elementë të krimit të organizuar, përmes komunikimeve të koduara në platformën SKY ECC, të zhvilluara në vitin 2020.
Së bashku me Çyrbjan, u arrestua edhe kunati i vëllait të tij, Ahmet Masha, i njohur për përfshirjen në kontrabandë nafte. Në vitin 2015, Masha u hetua për përfshirje në kontrabandën e karburantit të blerë në mënyrë të paligjshme nga Mali i Zi dhe u dënua me një gjobë prej 100,000 lekësh, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar dënim me burg.
Kush është Altin Hajri?
Altin Hajri, i cili ishte në kërkim për katër vite për zhdukjen e Jan Prengës, është një biznesmen i njohur dhe i lidhur me botën e krimit. Ai dyshohet se ka ndërhyrë në vitin 2017 që Jurgis Çyrbja të përfshihej në listat e sigurta të Partisë Socialiste për deputet. Sipas hetimeve, Çyrbja ka ndihmuar Hajrin të arratisej dhe të fshihej nga autoritetet.
Në vitin 2020, bisedat e përgjuara në platformën e koduar SKY zbuluan se Çyrbja dhe Hajri dyshohet ishin në komunikim të vazhdueshëm për çështje kriminale. Hajri, i akuzuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ka qenë një nga emrat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Lidhja mes Çyrbjes dhe Hajrit
Jurgis Çyrbja, përveç akuzave për korrupsion dhe përkrahje të autorëve të krimit, dyshohet se ka ndihmuar Altin Hajrin në arratisjen e tij, duke përdorur pozitat e tij politike për të mbështetur aktivitetet e grupit kriminal me të cilin Hajri ishte i lidhur.
SPAK pritet të publikojë më shumë detaje në vijim, ndërsa hetimet për korrupsion dhe lidhjet kriminale të Çyrbjes dhe bashkëpunëtorëve të tij po vazhdojnë.
Ish-deputeti Jurgis Çyrbja, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme është transferuar nga ambientet e Drejtorisë së Policisë në Durrës drejt Tiranës. Pas arrestimit të tyre, policia dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka kryer diten e djeshme kontrolle në disa banesa në zonën e Shijakut.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes një njoftimi zyrtar zbuloi tri akuza kryesore që rëndojnë ndaj tij: korrupsion aktiv në zgjedhje, përkrahje e autorit të krimit dhe tregtimi i sekretit shtetëror.
“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje.”, thuhet në njoftimin për media.
Çyrbja, ish-deputet i Partisë Socialiste, kishte dorëzuar mandatin e tij më 9 tetor, vetëm disa ditë përpara se SPAK të bënte publik lajmin e marrjes së tij si të pandehur. Arrestimi është kryer në Durrës, ku ish-deputeyti është ndaluar teksa udhëtonte me shoferin e tij, por policia ekzekutoi masën e "arrestit në burg" të caktuar nga Gjykata e Posaçme.