Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar sot një letër solidariteti Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.
Me anë të kësaj letre, Nikolla shpreh solidaritetin dhe simpatinë për qëndrimin e popullit, Parlamentit, Presidentit, Qeverisë dhe Ushtrisë së Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale prej agresionit të Federatës Rus. e
Ajo informon homologun ukrainas se në 7 Mars 2022 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për mbështetjen e sovranitetit dhë tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane”.
“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar dhe shkel hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.
Rezoluta bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata Ruse në Ukrainë, për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës, sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht, vlerëson aktet kundër civilëve të pafajshëm si krime lufte dhe kërkon që shkaktarët e këtij agresioni të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë inkurajon dhe mbështet Qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë dhe bashkërendojë veprimet me të gjitha vendet aleate e partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane. Shpreh bindjen se populli i Ukrainës do ta fitojë këtë luftë dhe do të ketë mundësi të jetojë i lirë e sovran në vendin e vet.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Siç është bërë e njohur, Shqipëria është solidarizuar plotësisht me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe politika jonë e jashtme dhe e sigurisë ka qenë, është dhe do të jetë në koherencë të plotë me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s. Paketa e sanksioneve është bërë publike nga Qeveria e Shqipërisë më 27 shkurt 2022. Shqipëria është, gjithashtu, duke punuar për ofrimin, brenda mundësive, të ndihmave në materiale ushtarake dhe spitalore për Ukrainën.

