Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për takimet e shumëpërfolura në Aruba, ku herë pas herë në media është aluduar dhe pretenduar se ai ka qenë mes bosëve të narkotrafikut, për të negociuar për ndërtimin e kullave në Shqipëri, me paratë e drogës.
Nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Edi Rama mohoi të ketë qenë atje ndonjëherë apo edhe të ketë dërguar ndonjë funksionar shtetëror atje.
"Unë nuk kam qenë kurrë në Aruba. Nuk e kam idenë se çfarë bëhet në Aruba. Nuk kam dërguar njeri në Aruba. Ajo është nxjerr në këtë fushën e algoritmit, dhe tani është bërë e vërtetë. Siç është bërë e vërtetë që unë jam konsumator kokaine. Është bërë e vërtetë.
Siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe, dhe për atësinë e tim biri, është bërë e vërtetë. Nuk ka rëndësi se çfarë kam thënë unë. Algoritmi këtë e ka bërë të vërtetë, pavarësisht fakteve", u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama dhe tashmë me epokën e teknologjisë, shoqëritë shndërrohen në laboratore reale algoritmi, ku gënjeshtra shpërndahet me shpejt sesa faktet dhe e vërteta, duke provokuar turmat kundër qeverise.
Gjithashtu, Edi Rama dha dhe një mesazh të qartë për të vetët dhe për qytetarët që mblidhen çdo mbrëmje në shesh, nën zyrën e tij, duke theksuar se ai dhe socialistët do të vazhdojnë të qeverisin Shqipërinë.
"Nuk jemi me në një marrëdhënie sociale, politike, demokratike. Jemi në një laborator ku në kohë reale algoritmi, simbolika e gënjeshtra prodhojnë një realitet paralel, para se faktet dhe e vërteta të gjejnë rrugën.
Ajo që mbetet për t'u bërë, është që ne të refuzojmë të ndjekim... (nuk kuptohet audio). Është që ne të vazhdojmë të qeverisim Shqipërinë, të vazhdojmë përpara. Të vazhdojmë të dëgjojmë, patjetër të dëgjojmë, askush nuk mund ta thotë, unë jo e jo, që nuk ka shumë të vërteta në ato që thuhen.
Zgjedhja jonë është të bëjmë çmos që njerëzve t'u japim lajmin e mirë. Kemi një problem me shërbimet, patjetër që kemi, por sot janë mbi 3 milionë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, që 95% të shërbimeve i marrin në celular. Kemi dhe 5% që kanë probleme me legalizimet, etj", përmbylli Edi Rama.
