Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar së fundi vendimin e opozitës, për të mos votuar amnistinë penale, teksa tha se arsyeja e marrjes së këtij vendimi lidhej me atë që ai e cilësoi si “pabesi” nga maxhoranca në procesin e kaluar.
Ndër të tjera ai deklaroi se amnistia është një e drejtë lushtetuese, por sipas tij nuk duhet të përdoret si një nismë e përvitshme, dhe të shërbejë për favorizimin e e personave të dënuar për korrupsion.
“Amnistia është një e drejtë kushtetuese e Parlamentit, e cila duhet të ushtrohet jashtë çdo abuziviteti. Rama e ka shndërruar amnistinë në një nismë të përvitshme, me të cilën ai shumëfishon kriminalitetin dhe godet rëndë drejtësinë. Amnistitë nuk bëhen çdo vit, por bëhen periodike”, u shpreh lideri demokrat.
Duke shtuar më tej: “Specialistët tanë konstatuan që ligji që kanë hartuar i detyron shumicën e atyre që gjoja përfitojnë të kalojnë nga Gjykata e Apelit, kjo për qëllime shumë të mbrapshta, e shndërron në një proces gjobash universale. Kjo ishte arsyeja, ne kemi votuar njëherë me ta; ata, në pabesi, morën dhe futën njerëz të dënuar për korrupsion dhe ndaj ne vendosëm të mos votojmë.”
Sa i përket protestës së djeshme dhe thirrjeve kundër tij Berisha u shpreh se: “Ishte një akt, një provokacion i vogël, por ne u themi demokratëve se gjethet dhe degëzat nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste.
Thirrjet përpjekjet për të krahasuar Ramën me Berishën lidhen me opozitën e opozitës, vegël e qeverisë.
Thirrja ime për demokratët është të marrin pjesë masivisht në këtë protestë. Të mos harrojnë që janë forca më e fuqishme opozitare e Kuvendit. Të qëndrojnë si opozitë e pamposhtur”
Sali Berisha: Amnistia është një e drejtë kushtetuese e Parlamentit, e cila duhet të ushtrohet jashtë çdo abuziviteti. Rama e ka shndërruar amnistinë në një nismë të përvitshme, me të cilën ai shumëfishon kriminalitetin dhe godet rëndë drejtësinë. Amnistitë nuk bëhen çdo vit, por bëhen periodike. Gjatë kohës që kemi qenë në pushtet, ne kemi votuar amnistinë në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit dhe në 75-vjetorin e çlirimit të vendit. Këto kanë qenë amnisti.
Nuk jemi kurrë dakord me një proces të përvitshëm. Ata sollën amendamentin, me të cilin donin të ndërprisnin proceset gjyqësore. Ne atë nuk e pranojmë kurrë.
Specialistët tanë konstatuan që ligji që kanë hartuar i detyron shumicën e atyre që gjoja përfitojnë të kalojnë nga Gjykata e Apelit, kjo për qëllime shumë të mbrapshta, e shndërron në një proces gjobash universale. Kjo ishte arsyeja, ne kemi votuar njëherë me ta; ata, në pabesi, morën dhe futën njerëz të dënuar për korrupsion dhe ndaj ne vendosëm të mos votojmë.
Edi Rama ka votuar në favor të krimit. Ta heqim drejtësinë fare, ta mbajmë me këshilla popullore. Po ky nuk është shtet.
