Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Investigimi: Gruaja e Lulzim Bashës pronare e 246 m2 në “Lion Residence”, te Liqeni

Shkruar nga Newsbomb
Investigimi: Gruaja e Lulzim Bashës pronare e 246 m2 në “Lion

Bashkëshortja e kryedemokratit Lulzim Basha, Aurela rezulton se është pronare e një sipërfaqe me vlerë mbi 700 mijë euro, në një ndër rezidencat e banimit më të shtrenjta në Tiranë. Pikërisht, në “Lion Residence” në hyrje të Liqenit Artificial.

Emisioni "Kronos" në MCN TV ka arritur të sigurojë dokumenta autentikë nga regjistri i pasurive të patundshme, ku janë regjistruar kontratat e sipërmarrjes të blerësve në rezidencën “Lion”.

Në datën 31 gusht 2021, Xhafer Çerçiz Isufi, vjehrri i ndjerë i zotit Basha bashkë me kunatin e tij, Erion Isufin, kanë lidhur një kontratë sipërmarrje me kompaninë “Lion Construction sh.p.k” për të porositur 985.5 m2 sipërfaqe në pallatin Lion Residence, për të cilën kanë paguar 1.478.250 euro.

Më 8 shkurt 2022, kjo kontratë është regjistruar në regjistrin e akteve juridike paraprake pranë Agjencisë së Kadastrës, edhe pse i ndjeri Xhafer Isufi ishte ndarë nga jeta në fund të muajit janar.

Bashkëshortja e zotit Basha, Aurela Basha, është trashëgimtare e gjysmës së pasurisë që i takonte zotit Isufi në këtë sipërfaqe si trashëgimtare e tij.

Në bazë të Vendimit të Dëshmisë së Trashëgimisë të datës 2 shkurt 2022, dëshmitarët testamentarë, Xhane Isufi, Erion Isufi dhe Aurela Isufi Basha deklarojnë:

“Xhane Isufi trashëgon aksionet/kapitalet dhe të gjitha fitimet e çdo lloji që rrjedhin tani dhe në të ardhmen në cilësinë e ortakut për shoqëritë ‘Landmark Technologies’ dhe ‘Moveo Albania Technology’ dhe përfitimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të të ndjerit nga momenti i nënshkrimit të testamentit dhe në të ardhmen, trashëgimtarë të vetëm të këtyre pasurive do të jenë Aurela Basha (Isufi) dhe Erion Isufi, me pjesë të barabartë ½ secili”, thuhet në deklaratën noteriale.

Sipas këtij akti, Aurela Basha rezulton përfituese për 246.4 metra katrorë të porositura në ndërtesën “Lion Residence”, e cila me çmimin mesatar të tregut në këtë godinë, 3000 euro/m2, ka një vlerë pasurie prej 738 mijë euro. Kronos dërgoi një kërkesë për informacion pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të verifikuar nëse kjo pasuri është deklaruar nga subjekti Lulzim Basha dhe pjesëtarët e lidhur të tij, siç është në rastin konkret bashkëshortja Aurela Basha. Deri në këto momente ILDKPKI nuk ka kthyer përgjigje.

Sipas dokumenteve të Agjencisë së Kadastrës, për sipërfaqen e plotë të porositur nga e gjithë familja Isufi është paguar një çmim 1500 euro/ m2, ndërsa në realitet çmimet e shitjeve në këtë godinë variojnë nga 2900 deri në 3500 euro/m2 për njësitë e banimit, ndërsa ato të shërbimit janë edhe më të larta. Agjencitë imobiliare reklamojnë çmime nga 3600 deri në 4000 euro/m2.

Në katin e parë të ndërtesës Lion Residence kompania Moveo Albania Technologies në pronësi 20% të Erion Isufit, kunatit të z.Basha, 20% të Xhane Isufit, vjehrrës së z.Basha dhe 60% në pronësi të shoqërisë italiane Moveo s.r.l., ka regjistruar kontratën e sipërmarrjes të firmosur më 8 nëntor 2021 për blerjen e 1158.6 m2 sipërfaqe për vlerën 3.150.396 euro. Për këtë sipërfaqe janë paguar 2719 euro për metër katror, 1219 euro më shumë se për sipërfaqen e blerë nga familja Isufi.

Dokumentat e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga Moveo Albania Technologies tregojnë se një pjesë e kompanive në pronësi të Erion Isufit si Landmark Communications, Landmark Technologies, Landmark Premium Print dhe Moveo Albania Technologies kanë lëvizur aktivitetin e tyre pranë Lion Residence.

Pagesat për të lidhur kontratën e sipërmarrjes janë bërë gjatë vitit 2022 në vlerë 199 mijë euro nga paratë e firmës Moveo Albania Technologies, të cilat janë reflektuar dhe në zërin aktive materiale për investime në ndërtesa dhe zyra në bilancin e vitit 2022, gjatë vitit 2021 kur është lidhur kontrata e porosisë, te bilancet e firmës rezultojnë për zërin e zyrave dhe ndërtesave 32.2 mijë euro shpenzime.

Kompania ka paguar parapagime për pasuri materiale 3.57 milion euro, ndërsa 1 milion e 91 mijë euro kanë shkuar për konsulenca në vitet 2021 dhe 2022. Moveo Albania Technologies rezulton me fitim të mbartur në vlerën 1.26 milion euro. Erion Isufi bashkë me bashkëshorten e tij Stela Dhami kanë porositur dy apartamente në rezidencën “Lion”, njërin me sipërfaqe 376 m2 dhe tjetrin me sipërfaqe 142 m2 dhe dy vende parkimi.

Lion Residence është një nga ndërtesat më të reja në kryeqytet e vendosur në brendësi të Liqenit Artificial, një zonë që ka patur debate dhe kundërshti nga organiztat mjedisore dhe aktivistët nëse duhet lejuar apo jo ndërtimi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese