Parlamenti Europian miratoi ditën e sotme një amendament i cili i bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore.
Në të theksohet se zbatimi praktik i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit duhet të garantohet jo vetëm në ligj, por edhe në frymë.
Amendamenti kritikon mënyrën se si janë paraqitur protestat e studentëve, duke theksuar se ato nuk duhet të interpretohen si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues, por si një kërkesë legjitime për të drejtat gjuhësore dhe arsimore.
“I bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues",- thuhet në amendament.
Kujtojmë se studentët në Maqedoninë e Veriut zhvilluan protesta të njëpasnjëshme ku kërkuan të drejtën e tyre legjitime që provimi i jurisprudencës të bëhet në gjuhën shqipe. Kjo e drejtë garantohet nga ligjet dhe standardet ndërkombëtare, sepse gjuha është themel i identitetit dhe dinjitetit kombëtar.
