Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë një takimi në selinë e Partisë Demokratike, ka komentuar rritjen sërish të çmimit të naftës në vend.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se Shqipëria sot ka çmimin e naftës më të lartin në Europë dhe botë.
“Nuk ka asnjë vend tjetër të ketë një ngarkesë të çmendur fiskale mbi litrin e naftës siç e ka Shqipëria. 60 përqind e çmimit të naftës përbëhet nga ajo që qeveria u merr qytetarëve për çdo litër”, theksoi ai.
Kryedemokrati hodhi akuza se litri i naftës iu kushton shqiptarëve 7 herë më shumë se gjermanëvce dhe zviceranëve dhe kjo falë Edi Ramës.
Berisha: Nuk ka asgjë tjetër të lidhur me çmimet e prodhimeve në bujqësi, me çmimet e transportit, me çmimet e përpunimit të prodhimeve se sa nafta. Nuk ka asnjë faktor tjetër që t’u marrë qytetarëve shqiptarë që kanë vetura 7.2 përqind të të ardhurave të tyre ditore.
Në një kohë kur çmimi i naftës apo litra e naftës në Gjermani iu kushton gjermanëve 1.2 përqind të të ardhurave ditore të tyre. U kushton zviceranëve rreth 1 përqind të të ardhurave ditore. Shqiptarëve u kushton 7 herë më shumë. Ky është realiteti.
Në qoftë se marrim çmimin e naftës me atë që quhet fuqi blerëse, çmimi i naftës në Shqipëri është absolut më i larti në Europë dhe në botë. Pra, krahasuar me fuqinë blerëse të xhepave të tyre, çmimi i naftës për qytetarët shqiptarë është më i lartë se në çdo vend të Europës dhe në çdo vend të botës. Pra, nafta është një ndëshkim për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Nuk ka asnjë vend tjetër të ketë një ngarkesë të çmendur fiskale mbi litrin e naftës siç e ka Shqipëria. 60 përqind e çmimit të naftës përbëhet nga ajo që qeveria u merr qytetarëve për çdo litër. Askush nuk e bën këtë përveç kësaj qeverie. Askush nuk e bën këtë dhe nuk mund të imagjinojë të bëjë një gjë të tillë. Në vitin 2013, taksa e qarkullimit ishte 7 lekë të vjetra për litër.
E rriti në 28 lekë, e rriti me katër herë. Në një akt cinik të pashembullt, edhe akcizën e ka bërë të indeksueshme. Nuk ua bën pensionistëve indeksimin e pensioneve, jo, i mashtron. Indekson akcizën e naftës dhe e rrit atë në përputhje me inflacionin. Dhe kjo i jep një rritje të ndjeshme çdo vit, dhe marrë së bashku, rëndon me 40 lekë të vjetra në çmimin e saj.
