
Shqipëria renditet e dyta në Europë për peshën e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme në raport me konsumin e brendshëm, duke lënë pas Islandën dhe të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 105% e konsumit bruto të energjisë elektrike në vend u mbulua nga burime të rinovueshme, një tregues që nënkupton se gjatë vitit vendi prodhoi më shumë energji të gjelbër sesa konsumoi. Më mirë se Shqipëria renditet vetëm Norvegjia me 114%, ndërsa Islanda vjen e treta me 102%.
Eurostat theksoi se “Vendet e EFTA-s, Norvegjia dhe Islanda, si edhe vendi kandidat Shqipëria, prodhuan në vitin 2024 më shumë energji elektrike nga burime të rinovueshme sesa sasia totale e energjisë elektrike që konsumuan. Për këtë arsye, pjesa e energjisë së rinovueshme rezulton mbi 100%.Në disa raste, ky efekt vjen nga fakti se prodhimi ishte më i lartë se konsumi dhe vendi ishte eksportues neto, si në rastin e Norvegjisë. Në raste të tjera, pjesa reale mund të jetë 100%, por normalizimi i prodhimit hidroenergjetik e çon treguesin në një nivel më të lartë, si në rastin e Islandës dhe Shqipërisë”.
Pozicioni i Shqipërisë lidhet me dominimin pothuajse të plotë të hidrocentraleve në prodhimin vendas të energjisë elektrike. Viti 2024 u karakterizua nga kushte të favorshme hidrike, duke rritur prodhimin vendas dhe duke mundësuar eksporte të energjisë në periudha të caktuara të vitit. Megjithatë, kjo performancë pasqyron edhe varësinë e lartë të sistemit energjetik nga reshjet, çka bën që në vitet me thatësirë vendi të detyrohet të rrisë importet e energjisë.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kryeson me diferencë. Mali i Zi renditet i dyti me 66%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka 32%. Serbia mbulon vetëm 13% të konsumit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, duke reflektuar varësinë e saj nga termocentralet me qymyr, raporton Monitor.al.
Të dhënat janë pjesë e raportit më të fundit të Eurostat për statistikat e energjisë së rinovueshme, i cili tregon se tranzicioni energjetik në Bashkimin Europian vijon të përshpejtohet. Në vitin 2024, 47.3% e konsumit bruto të energjisë elektrike në BE u mbulua nga burime të rinovueshme, nga 45.3% një vit më parë. Krahasuar me vitin 2004, kur kjo peshë ishte vetëm 16.2%, pjesa e energjisë së gjelbër është pothuajse trefishuar.
Austria mbetet lideri i Bashkimit Europian me 90% të energjisë elektrike të konsumuar që vjen nga burime të rinovueshme. Pas saj renditen Suedia me 88% dhe Danimarka me 80%. Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë Malta me vetëm 10%, Çekia me 20% dhe Luksemburgu me 20%.
Eurostat vëren se rritja e prodhimit të energjisë së rinovueshme është mbështetur kryesisht nga investimet në energjinë diellore dhe atë të erës. Vetëm gjatë vitit 2024, prodhimi nga panelet fotovoltaike u rrit ndjeshëm në shumicën e vendeve të BE-së, ndërsa kapacitetet e reja të turbinave me erë vazhduan të shtohen, duke kompensuar pjesërisht luhatjet e prodhimit hidroenergjetik në disa vende.
Në nivel europian, era është tashmë burimi kryesor i energjisë elektrike të rinovueshme, duke përbërë rreth 39% të prodhimit të gjelbër. Hidrocentralet zënë rreth 30%, energjia diellore 22%, ndërsa bioenergjia rreth 6%. Krahasuar me një dekadë më parë, energjia diellore është burimi që ka shënuar zgjerimin më të madh, falë uljes së kostove të teknologjisë dhe politikave të mbështetjes për investimet.
