Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt në Fier pritet të kenë një "shtëpi të re" pasi Policia e Shtetit ka hapur një tender 69 milionë lekë për studimin dhe projektimin e Komandës së re. Ambientet ekzistuese thuhet se janë në gjendje të degraduar ndaj kërkohet një vlerësim i plotë i kushteve.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon nga operatorët e interesuar që të paraqesin kërkesat për studim dhe projektim të Komandës së forcave speciale të Ndërhyrjes së Shpejt.
"Objektet ekzistuese janë plotësisht të amortizuara për shkak të mungesës së kryerjes së mirëmbajtjes dhe investimeve ndër vite, si dhe të dëmtimeve të shkaktuara nga punimet e kryera nga kompania Bankers Petroleum për hapjen/çpimin e puseve të naftës Fier.
Gjithashtu nga tërmeti i vitit 2019, objektet e repartit NSH Fier kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme (çarje të rënda të mureve tek godina e fjetinave të efektivit, magazinës së armatimit etj...", thuhet në dokumentet e tenderit të njoftuar nga Policia e Shtetit, përcjell newsbomb.al.
Është e pakuptueshme sesi Policia e Shtetit dhe autoritetet e tjera shtetërore nuk kanë kërkuar nga kompania Bankers Petroleum që të marrë përgjegjësitë dhe të shlyejë dëmet që ka shkaktuar në Repartin e FNSH në Fier, nga shpërthimet e forta për naftë, por paratë paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.
Nisur nga gjendja e objekteve ekzistuese Autoriteti Kontraktor kërkon nga ofertuesit që të shikohet mundësia e ndërtimit të ri të objekteve për repartin e FNSH Fier, duke i asgjësuar/prishur tërësisht godinat e vjetra ekzistuese, dhe rikompozimin nga fillimi të objekteve të Repartit.
[gallery link="none" columns="1" size="full" td_select_gallery_slide="slide" ids="732149,732150,732151,732152,732153"]
Referuar dokumenteve, thuhet se investimi për “Ndërtimin e objekteve të Repartit NSH Fier” do të duhet të prekë të gjithë godinat që përfshihen brenda territorit të institucionit, sepse ato ekzistuese janë të shpërndara dhe aktiviteti i trupave të FNSH nuk është në përformancën e duhur, shkruan newsbomb.al.
Nga kompania projektuese kërkohet të kihet parasysh që objektet të jenë të organizuara sipas lidhjes funksionale të aktivitetit që kryen Reparti NSH Fier, duke i grupuar mundësisht në një numër të kufizuar objektesh, me qëllim të shfrytëzimit maksimal të territorit, duke parashikuar edhe ndërtimin e shtëpisë taktike, terreneve sportive/stërvitore, parkimit, gjelbërimit etj.
