Miliona iranianë kanë festuar pas raportimeve për vrasjen e liderit suprem, Ali Khamenei, i cili dyshohet se u vra nga një sulm ajror amerikano-izraelit në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Në mediat sociale dhe në llogaritë e qytetarëve brenda Iranit, lajmi për vdekjen e tij shkaktoi një shpërthim emocionesh nga gëzimi, te tronditja dhe mosbesimi.
Një përdorues në X shkroi: “Po qaj, po qesh, po bërtas dhe po përjetoj çdo ndjenjë në botë brenda tre sekondash.”
Sipas burimeve në Teheran, të cilat arritën të komunikonin me botën e jashtme përmes internetit satelitor Starlink, banorët dolën në dritare dhe u mblodhën në çati menjëherë pas përhapjes së lajmit, duke brohoritur në shenjë feste.
Farzad, një banor i Teheranit, tregoi se zhurma e fishkëllimave, borive të makinave dhe motoçikletave mbushi menjëherë ajrin. “Thjesht shpërtheu menjëherë," tha ai.
Pavarësisht ndërprerjeve të rënda të internetit, në rrjetet sociale qarkulluan video që tregonin njerëz duke kërcyer dhe festuar në disa qytete, përfshirë Karaj, Qazvin, Shiraz, Kermanshah, Isfahan dhe Sanandaj.
Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të sotëm, televizioni shtetëror konfirmoi zyrtarisht lajmin, duke shpallur 40 ditë zie kombëtare, si dhe një javë pushim zyrtar.
Ndërkohë, forcat iraniane vijuan sulmet me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe disa vendeve të tjera në rajon, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në një reagim publik, princi Reza Pahlavi iu drejtua iranianëve me një mesazh ku deklaroi se, me vdekjen e Khameneit, Republika Islamike kishte arritur fundin e saj dhe së shpejti do të përfundonte në “koshin e plehrave të historisë”.
“Çdo përpjekje nga mbetjet e regjimit për të emëruar një pasardhës të Khameneit është e dënuar të dështojë që në fillim”, tha ai. “Kushdo që ata e vendosin në vend të tij nuk do të ketë as legjitimitet dhe as jetëgjatësi.”
