Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë dje në hapjen zyrtare të edicionit të parë të panairit të makinave në Shqipëri, "Automotive Fair Albania". Ai ka falenderuar organizatorët për këtë event, teksa ka ftuar qytetarët ta vizitonin.
Në fjalën e tij, kryeministri nuk i kurseu batutat. E nisi me Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), e cila drejtohet nga Blendi Gonxhja.
"Së bashku me Blendi Gonxhen, drejtorin e DRRPRRTSHRR-së, s'ia mësova asnjëherë këto inicialet kësaj DPRR-së. Ç'rëndësi ka, rëndësi ka që të gjithë e dinë se për cilën drejtorin e kam fjalën. Dhe ato RR-t aty janë si ato lëvizjet e makinës kur ndizet, rr rr rr... Bashkëpunimi me Blendin ka qenë kyç", u shpreh Rama.
Më tej, Rama ftoi qytetarët të vizitonin panairin dhe u ndan përsëri te drejtori Gonxhja, një prej bashkëpunëtorëve të tij të hershëm që në Bashkinë e Tiranës.
"Shijojeni këtë ekspozitë, këtë panair që u bë i mundur falë ministres sonë të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, falë ministres sonë për Infrastrukturën dhe Energjinë dhe falë Blendi Gonxhes, i cili duket sikur gabimisht ka lindur mbi dy këmbë se duhet të kishte lindur mbi 4 rrota", përmbylli kryeministri.