Komisioni i Venecias ka miratuar opinionin për projektligjin mbi financimin e partive politike në Shqipëri, duke vlerësuar nismën, por njëkohësisht duke kërkuar përmirësime në disa prej dispozitave të saj. Në dokumentin prej 38 faqesh, ekspertët analizojnë në detaje draftin dhe theksojnë nevojën për mekanizma më të fortë kontrolli mbi burimet financiare të partive politike.
Sipas vlerësimit të tyre, realiteti i ekonomisë informale në Shqipëri paraqet rreziqe të konsiderueshme për financimin e fshehtë politik. Për këtë arsye, drafti konsiderohet i pamjaftueshëm në parandalimin dhe monitorimin efektiv të flukseve financiare që mund të mos deklarohen.
Një nga rekomandimet kryesore lidhet me transparencën gjatë viteve zgjedhore. Ekspertët sugjerojnë që partitë politike të mos raportojnë financat vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor, por edhe para dhe gjatë fushatës, në mënyrë që institucionet mbikëqyrëse dhe publiku të kenë një pasqyrë më të qartë të të ardhurave dhe shpenzimeve elektorale.
“Është praktikë e mirë të kërkohen raporte përpara fillimit të fushatës; raporte që u japin organeve mbikëqyrëse dhe publikut informacion paraprak mbi të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës së partive dhe kandidatëve ditë para ditës së zgjedhjeve; si dhe raporte përfundimtare pas zgjedhjeve dhe certifikimit të rezultateve, për të siguruar një pasqyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të financimit të fushatës zgjedhore”, thuhet në raport.
“Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri vazhdon të funksionojë përmes transaksioneve me para në dorë dhe mekanizmave të tjerë informalë. Në këtë kontekst, projektligji nuk adreson në mënyrë të mjaftueshme financimin e fshehtë politik dhe as nuk krijon mekanizma efektivë parandalues dhe monitorues të përshtatur për realitetin shqiptar”, thuhet ndër të tjera.
Po ashtu, Komisioni i Venecias rekomandon zgjerimin e aksesit në financimin publik edhe për partitë joparlamentare. Sipas ekspertëve, një masë e tillë do të ndihmonte në krijimin e një gare më të balancuar politike, veçanërisht në një sistem të dominuar nga dy forcat kryesore politike.
“Në kontekstin politik të Shqipërisë, i cili dominohet nga dy partitë kryesore, mund të jetë e këshillueshme të rritet aksesi në financimin publik për garuesit më të vegjël, përfshirë edhe ata që ende nuk janë të përfaqësuar në Parlament”, shkruhet mes tjerave.
