Policia e Shkodrës ka reaguar lidhur me deklaratën e bujshme të bërë këtë të mërkurë nga deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, e cila përmes një postimi publik pretendoi se ajo dhe familja e saj janë kërcënuar nga persona të lidhur me grupin Bajri në Shkodër.
Pas publikimit të mesazhit të deputetes, Newsbomb iu drejtua institucioneve ligjzbatuese për të marrë informacion zyrtar mbi rastin dhe për të mësuar nëse është ndërmarrë ndonjë veprim procedurial nga organet kompetente.
Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë të ditur për redaksinë tonë se deri në këto momente nuk rezulton të jetë depozituar asnjë kallëzim penal nga deputetja Marjana Koçeku apo nga familjarët e saj në lidhje me pretendimet për kërcënim.
Sipas procedurave ligjore, një rast i tillë mund të ndiqet në dy mënyra. E para është depozitimi i kallëzimit pranë Policisë së Shkodrës, e cila më pas kryen veprimet paraprake proceduriale dhe referon materialet në organin kompetent të hetimit. Në rastet kur kallëzimi lidhet me veprimtari të grupeve kriminale apo elementë të krimit të organizuar, materialet mund t'i kalojnë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Forma e dytë është paraqitja e kallëzimit direkt pranë SPAK-ut nga personi që pretendon se është kërcënuar ose nga përfaqësuesit e tij ligjorë.
Burimet policore theksojnë se mungesa e një kallëzimi zyrtar nuk lejon në këtë fazë ngritjen e një procedure të plotë hetimore mbi pretendimet e bëra publikisht nga deputetja. Gjithashtu, ende nuk dihen rrethanat konkrete të kërcënimit të pretenduar, nëse ai është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes telefonatave, mesazheve apo formave të tjera të komunikimit.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Koçeku do t’i drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim formal ndaj personave që pretendon se kanë kërcënuar atë dhe familjen e saj, apo nëse SPAK do të vendosë të nisë verifikime kryesisht, bazuar në deklaratën e bërë publikisht.
Deklarata e deputetes erdhi vetëm pak ditë pasi ajo njoftoi largimin nga Partia Socialiste dhe kalimin në statusin e deputetes së pavarur.
Në reagimin e saj publik, Koçeku iu drejtua drejtpërdrejt grupit Bajri në Shkodër, duke u thënë: Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket qoftë edhe një qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën.
View this post on Instagram

