Policia greke ka goditur një prej grupeve kriminale më të fuqishme që vepronte në shtetin fqinj, organizatë e cila sipas autoriteteve përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe ishte e përfshirë në trafikun e kokainës në zonën e gjerë të Athinës.
Sipas mediave greke mësohet se operacioni është zhvilluar nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimit në Athinë, në bashkëpunim me forcat speciale EKAM dhe njësitë OPKE, duke çuar në çmontimin e plotë të rrjetit kriminal që kishte shtrirë aktivitetin e tij në disa zona të kryeqytetit grek.
Gjatë operacioneve të koordinuara në banesa dhe ambiente që shërbenin si magazina dhe strehëza të grupit, autoritetet arrestuan 9 persona të moshës nga 24 deri në 43 vjeç, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas të dhënave të publikuara, organizata përbëhej nga 14 persona, prej të cilëve 11 janë shqiptarë dhe 3 grekë.
Mes të arrestuarve shqiptarë janë identifikuar Ervin Ademi alias Leo, 39 vjeç, Elton Plepi alias Toni, 42 vjeç, Ervis Tringa alias Niko, 38 vjeç, Albert Pali alias Berti, 42 vjeç, Bruno Anastasaj alias Thodhori, Kondelina Dhimertika, 43 vjeç, Xhulio Kercani, 29 vjeç dhe Malena Alushaj, 24 vjeç. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Helis Cato, 38 vjeç, Taulant Prifti, 47 vjeç dhe Erald Gjata, 46 vjeç.
Të dyshuarit përballen me akuza të rënda që lidhen me krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimin e parave, shkeljen e ligjeve për armët, falsifikimin e dokumenteve si dhe shkeljen e legjislacionit për të huajt.
Sipas informacioneve të bëra publike nga mediat greke, grupi operonte në kuadër të një strukture të mirëorganizuar dhe me hierarki të qartë, të ngjashme me organizatat kriminale të sofistikuara. Hetimet kanë zbuluar se organizata ishte aktive të paktën që nga dhjetori i vitit 2025 dhe drejtohej nga një lider, i mbështetur nga tre zëvendësdrejtues, të cilët koordinonin aktivitetin e përditshëm të rrjetit.
Mësohet se kreu i grupit, 39-vjeçari Ervin Ademi, ushtronte kontroll të plotë mbi aktivitetin kriminal, duke përcaktuar strategjinë operative, duke dhënë urdhra dhe duke mbikëqyrur funksionimin e organizatës. Tre zëvendësit e tij kishin rolin e shpërndarjes së lëndës narkotike tek anëtarët e tjerë, të cilët më pas kujdeseshin për shitjen e kokainës tek klientët në zona të ndryshme të Atikës.
Për të shmangur zbulimin nga autoritetet, anëtarët e grupit kishin ngritur një sistem të avancuar kundër-mbikëqyrjeje. Ata përdornin aplikacione komunikimi të koduara, terminologji të fshehtë gjatë bisedave dhe ndryshonin vazhdimisht numrat telefonikë për të vështirësuar gjurmimin nga policia.
Gjatë kontrolleve në ambientet e përdorura nga organizata, policia greke sekuestroi 827 gramë kokainë, një sasi të vogël kanabisi, tre pistoleta, një karikator arme luftarake, 119 fishekë, dhjetëra telefona celularë të përdorur për aktivitetin kriminal, pesë automjete, 14.505 euro dhe 470 dollarë amerikanë në para cash, tre radio-marrëse, shtatë peshore elektronike precize, si dhe mjete të tjera të ndaluara, përfshirë thika, sprej me piper dhe shkopinj.
Nga vlerësimet e autoriteteve greke rezulton se fitimet e paligjshme të organizatës nga trafiku i drogës tejkalojnë shumën e 900 mijë eurove, çka dëshmon për përmasat dhe fuqinë ekonomike të rrjetit kriminal.
Pas përfundimit të operacionit, të arrestuarit janë dërguar para prokurorit kompetent, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të aktivitetit të organizatës.
