Radhë të gjata automjetesh janë krijuar këtë të shtunë në doganën e Morinës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gazetari Mentor Kikia ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi, për të cilën thotë se tregon një kolonë automjetesh me gjatësi rreth 3.5 kilometra.
Në reagimin e tij, Kikia shprehet se shkak i situatës janë kontrollet e detajuara të ushtruara nga Policia Kufitare shqiptare, duke pretenduar se qytetarët nga Kosova po kontrollohen dhe regjistrohen një nga një, ndonëse, sipas tij, ky lloj kontrolli është hequr prej kohësh.
Gazetari kujton se, pas marrëveshjeve për lehtësimin e lëvizjes mes dy vendeve, kalimi në këtë pikë kufitare është kthyer në një procedurë formale për shumicën e udhëtarëve, ndërsa kontrollet e plota zbatohen kryesisht për mallrat që i nënshtrohen procedurave doganore.
Më tej, Kikia ngre dyshimin se situata mund të ketë lidhje me protestën e paralajmëruar për t'u zhvilluar këtë të shtunë para Kryeministrisë në Tiranë, por thekson se nuk ka informacion që ta konfirmojë një gjë të tillë.
Në postimin e tij ai shkruan:
"Pashe kete foto ne rrjet, qe tregon radhen e gjate te krijuar ne anen kosovare te kufirit Shqiperi-Shqiperi! Shkaku eshte se policia kufitare e Shqiperise shqiptare kontrollon dhe regjistron nje per nje cdo shtetas te Kosoves shqiptare.
Ky kontroll ka kohe qe eshte hequr. Kufiri ka qene nje formalitet, vetem per kalimin e mallrave. Sot eshte e shtune dhe tradicionalisht shqiptaret me banim ne Kosove vershojne drejt bregdetit. Nuk di nese kjo lidhet me ndonje perpjekje per te identifikuar shtetasit kosovare qe mund te vijne per t'iu bashkuar protestes.
Por 'bllokimi' i kufirit eshte i paprecedente. Shqiptaret kerkojne ndihmen e shtetit te tyre kur bllokohen ne pikat kufitare me Greqine, Maqedonine apo Malin e Zi. Ndersa sot ndjehen te bllokuar nga shteti i tyre".
