Leonard Duka, kreu i grupit kriminal "Duka" dhe i njohur me nofkën "Princi Damian", është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Posaçme. Ai është shpallur zyrtarisht fajtor për urdhrin dhe ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko në Tiranë.
Gjithashtu, togat e zeza kanë pranuar pretencën e SPAK dhe për anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal, duke u shpallur gjithashtu fajtorë.
Ndërkohë, Erlis Duka, vëllai i Leonard Dukës është shpallur i pafajshëm për këtë ngjarje. Prokuroria e Posaçme në pretencën e saj, kishte kërkuar 25 vite burg për vëllain e "Princit Damian", por mesa duket në gjykatë provat nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Konkretisht, Prokuroria e Posaçme në pretencë ka kërkuar:
1. Leonard Duka - 32 vjet burgim - Dënohet me 30 vite burg
2. Erlis Duka - 25 vjet burgim - Shpallet i pafajshëm
3. Fatmir Hyseni - 32 vite burgim - Dënohet me 25 vite burg
4. Aleksandër Manxhaku - 22 vjet burgim - Dënohet me 25 vite burg
5. Oltjon Loga - 23 vjet burgim - Dënohet me 25 vite burg
6. Dritan Agai - 23 vjet burgim - Dënohet me 25 vite burg.
Më herët, për këtë ngjarje janë dënuar dhe dy anëtarë të tjerë të klanit "Duka", konkretisht Blendi Teta, i cili është shpallur fajtor si bashkëpunëtor në krimin që tronditi Tiranën mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e Kinostudios. Ai është dënuar me 25 vite burg.
Po ashtu, edhe anëtari tjetër i këtij grupi, Ilir Selmani është dënuar me 28 vite burg, për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko. Ai është shpallur fajtor për akuzat “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Vrasja që tronditi Kinostudion dhe përplasja Martinaj-Duka
Ish-polici Santiago Malko u vra mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e Kinostudios, sapo doli me makinën e tij tip BMW X5 nga një lavazh. Persona të maskuar kishin ndjekur Malkon dhe sapo ai ka dalë nga lavazhi e kanë qëlluar me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend.
Por pas këqyrjes se dhjetëra kamerave të sigurisë, hetuesit kuptuan se viktima ishte ndjekur hap pas hapi nga dy makina, në njërën prej të cilave më pas u mësua se ishte edhe Blendi Teta, shkruan newsbomb.al.
Leonard Duka njihet edhe si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt, megjithëse më parë kanë qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit.
Përplasja mes grupit të Ervis Martinaj dhe vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka kulmoi me eliminimin e ish-policit Santiago Malko, një prej miqve më të afërt të Martinaj, vrasje e ndodhur më 27 gusht 2019. Ajo dyshohet se u krye nga Klani Duka pasi Malko kishte marrë peng babain e dy vëllezërve Duka.
